Raporti për veprimtarinë e SPAK gjatë vitit 2025 solli Klodjan Brahon në Komisionin e Ligjeve, ku deputetët e opozitës e pyetën lidhur me qasjen e mazhorancës ndaj imunitetit parlamentar të zyrtarëve të lartë nën hetim.
BYLYKBASHI: Si e kapërcejmë këtë impas të krijimit të një blloku të ri imunitar?
BRAHO: "Imuniteti nuk e ndalon Prokurorinë të zhvillojë një hetim të plotë dhe të pavarur. Mungesa e një mase mund ta vështirësojë apo ta dëmtojë hetimin, por ne jemi të detyruar të respektojmë ligjet. Personalisht jam i mendimit se nuk duhet të ketë fare imunitet, por Prokuroria do të punojë me ato mjete ligjore që ka në dispozicion."
Pa përmendur emra, pyetja dhe përgjigjja u bënë më konkrete.
BYLYKBASHI: Do të sillni një kërkesë tjetër, meqë janë shtuar akuza të reja, më të rënda?
BRAHO: "Sot nuk mund të paralajmëroj një vendimmarrje. Çështja është në hetim. Nuk mund të them se si do të jetë vendimmarrja, nëse do të ketë apo jo një kërkesë të re. Por ajo që ju garantoj është se do të jetë një vendimmarrje e bazuar në ligj dhe në prova, duke marrë në konsideratë edhe arsyet pse Kuvendi e ka rrëzuar kërkesën."
Kreu i Komisionit të Ligjeve hodhi ujë mbi disa shqetësime që deri pak kohë më parë dëgjoheshin edhe nga mazhoranca apo njerëz pranë saj.
Mosbesimi i Prokurorisë së Posaçme në raport me Policinë e Shtetit dhe dekonspirimi i aksioneve të ndryshme u bënë pjesë e pyetjeve, si nga opozita, ashtu edhe nga mazhoranca.
STRAZIMIRI: Për dosjet e krimit dhe dekonspirimin nga ana e policisë, a ka hetim për këtë?
BRAHO: "Nëse Prokuroria konstaton se ka pasur dekonspirim, duhet të hapë hetim. Ka pasur edhe procedime për dekonspirim."
MILE: Aksione të BKH-së pa praninë e Policisë së Shtetit. A tregon kjo mungesë besimi ndaj policisë?
BRAHO: "Policia e Shtetit është një partner i pazëvendësueshëm, por presim më shumë prej saj. Pavarësisht bashkëpunimit, SPAK duhet të ketë pavarësi operacionale. Nuk e zëvendësojmë dot Policinë e Shtetit, por struktura duhet të jetë e aftë të veprojë në mënyrë të pavarur."
Socialistët pyetën edhe për çështjen e 21 Janarit, por kreu i SPAK u kursye në komente.
BRAHO: "Ajo që mund të themi është vetëm çështje në hetim dhe hetimet vazhdojnë. Nuk kam koment tjetër për këtë çështje".
Njësoj si paraardhësit e tij, edhe Braho kërkoi një zgjidhje ligjore për përfundimin e mandatit të prokurorëve të posaçëm, këtë herë duke gjetur një derë gjysmë të hapur. (A2 Televizion)