Protesta disa orëshe para Parlamentit që u përshkallëzua me përdorimin e sprait me piper dhe gazit lotsjellës nga policia përfundoi me 19 të arrestuar.
Një ditë pas protestës, policia e Tiranës ka bërë bilancin e tubimit, ku sqaron se përveç të arrestuarve janë proceduar edhe 12 qytetarë të tjerë, shkruan A2 CNN. Mbi 19 të arrestuarit, që mbahen në bllokun e sigurisë në Tiranë rëndojnë 7 akuza, duke nisur nga kundërshtimi i punonjësit të policisë e deri te pjesëmarrja në manifestime të paligjshme.
Ministri i Brendshëm, Besfor Lamallari, nga Elbasani ku zhvilloi një vizitë në policinë e këtij qarku, protestuesit që u përplasën me policinë i quaji vandal.
“Nuk po flas për mjetet e policisë të cilat u panë qartë që u shkatërruan nga ë protestues të ashtuquajtur paqësorë, por që unë nuk mendoj që ato mund të quhen protestues. Ato nuk kanë të bëjnë fare me protestën. një grup, një grup personash të cilët me gurë në duar dhunojnë punonjësit e zbatimit të ligjit, punonjësit e çdo punonjës tjetër që kalon aty pranë dhe dëmtojnë pasurinë publike, në fakt nuk janë protestues, ata janë thjesht vandalë”, tha Lamallari.
Por ndryshe mendon Partia Demokratike, ku me anë të deputetit Klevis Balliu që vizitoi të arrestuarit në qeli, akuzoi policinë për dhunë ndërsa qytetarët, pohoi deputeti demokrat nuk kanë kryer asnjë veprim të paligjshëm.
“Tezat dhe konspiracionet ndaj këtyre protestuesve se kanë ushtruar dhunë janë tërësisht dhe totalisht qesharake pasi siç e keni parë dhe vetë ata kanë dalë 200 000 veta dhe nuk e kanë dëmtuar një pemë. Kanë dalë 200 000 e 300 000 dhe nuk kanë dëmtuar asnjë pemë. Të akuzosh këtë për dhunë domethënë është qesharake, është e turpshme”, tha Balliu.
Protestuesit e arrestuar po mbahen të izoluar në bllokun e sigurisë dhe pritet që të dalin para gjykatës për vlerësimin e masës së sigurisë. (A2 Televizion)