
Shkolla Kombëtare e Fluturimit çeli sot dyert e saj. Në ceremoninë e zhvilluar në Bazën Ajrore të Rinasit, kryeministri Edi Rama tha se kjo është një tjetër dëshmi të transformimit të Forcave të Armatosura shqiptare gjatë dekadës së fundit.
Sipas tij ushtria shqiptare ka kaluar nga një gjendje e braktisur në një forcë moderne, duke theksuar se sot Forcat e Armatosura janë më të mirëpaguarat në rajon.
“Ja ku jemi, sot shkolla kombëtare e fluturimit çel dyert e saj. Sot, Forca e Armatosur është më e mirëpaguara në rajonin tonë dhe ambicia jonë është që, në rrugën tonë drejt BE-së, forcat tona të jenë në mesataren e forcave të NATO-s në kontributin e shtetit dhe të taksapaguesve për pagat e tyre”, deklaroi kryeministri.
Rama bëri të ditur se Shkolla Kombëtare e Fluturimit nuk do të shërbejë vetëm për përgatitjen e pilotëve shqiptarë, por edhe për stërvitjen dhe certifikimin e pilotëve të vendeve aleate të NATO-s, duke përmendur fillimisht Kosovën.
“Po përjetojmë një kapitull të ri në raportin e rinisë. Shkolla e fluturimit është e hapur për të stërvitur e certifikuar edhe pilotët e rinj të aleatëve të NATO-s pa diskutim edhe duke filluar nga Kosova. Kjo shkollë gëzon kredibilitetin e ekspertëve ndërkombëtare dhe njerëzve tanë të Forcës Ajrore".
Kryeministri u ndal edhe te sfidat e sezonit veror, duke deklaruar se Forca Ajrore është e përgatitur për t’u përballur me emergjencat, veçanërisht me zjarret, që sipas tij mbeten një nga sfidat kryesore të muajve të nxehtë. (A2 Televizion)