
Është shtyrë seanca ndaj Erion Veliajt në Gjykatën Administrative.
Avokati i Erion Veliajt ka paraqitur një kërkesë për shtyrje seance, për shkak të një rrethane shëndetësore të një familjari.
Veliaj tha se i duhej ndihma e avokatit për vijimin e seancës dhe gjykata shtyu procesin për më 24 korrik, ora 09:00.
Në Administrative, Veliaj kërkon pavlefshmëri të dekretit presidencial për emërimim në detyrë të prokurorit të SPAK, Ols Dado.
Deklarata e Veliajt në gjykatë:
I nderuar trup gjykues,
Dje u zbardh vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili konstatoi se Gjykata e Lartë nuk kishte arsyetuar në mënyrë kushtetuese proporcionalitetin e masës së paraburgimit në raport me mandatin tim si Kryetar i Bashkisë së Tiranës, si dhe nuk kishte trajtuar në mënyrën e duhur pretendimet për cenimin e dinjitetit tim nga mbajtja në kabinën e xhamit. Për më tepër, një nga gjyqtaret e Gjykatës Kushtetuese ka arritur në përfundimin se, bazuar në provat e administruara, nuk rezulton të jetë arritur as standardi kushtetues i dyshimit të arsyeshëm se kam kryer vepër penale.
Këto nuk janë pasoja abstrakte. Unë ndodhem prej 16 muajsh në paraburgim dhe vetë Gjykata Kushtetuese ka evidentuar mangësi serioze kushtetuese në mënyrën se si është justifikuar kufizimi i lirisë sime.
Pikërisht për këtë arsye, ky gjykim administrativ ka një rëndësi që shkon shumë përtej personit tim apo personit të z. Olsi Dado. Ky nuk është një proces për emra të përveçëm. Ky është një proces për të përcaktuar nëse një person, ligjshmëria e emërimit të të cilit vihet seriozisht në diskutim, mund të ushtrojë kompetenca që ndërhyjnë deri në kufizimin e lirisë së një qytetari, në cenimin e dinjitetit të tij dhe në pamundësimin e ushtrimit të një mandati të fituar drejtpërdrejt nga vullneti demokratik i qytetarëve të Tiranës. Në thelb, kjo çështje prek vetë besimin te shteti i së drejtës dhe te demokracia kushtetuese.
Për këtë arsye, po e vë në dispozicion të Gjykatës vendimin e djeshëm të Gjykatës Kushtetuese, si një zhvillim me rëndësi të drejtpërdrejtë për këtë proces. (A2 Televizion)