
Tani është zyrtare: Gjermania ka pranuar dorëheqjen e Julian Nagelsmann si trajner pas eliminimit të tyre nga Kupa e Botës me penallti kundër Paraguait. në raundin e 1/16-ave.
Federata Gjermane e Futbollit (DFB) njoftoi dorëheqjen në një deklaratë, duke deklaruar se tashmë ka filluar kontaktet me Jurgen Klopp, Drejtor aktual i Global Soccer te Red Bull dhe ish-trajner i Borussia Dortmund dhe Liverpool.
Vetë Klopp "ka shprehur tashmë gatishmërinë e tij të përgjithshme për të marrë rolin", shkruan A2.
"Federata Gjermane e Futbollit falënderon Julian Nagelsmann për punën e tij që nga shtatori 2023", tha Presidenti i DFB-së, Bernd Neuendorf, në një deklaratë.
"Ai është dalluar përmes angazhimit të tij të madh dhe ambicies së jashtëzakonshme. Ai është gjithashtu një person jashtëzakonisht i përgjegjshëm dhe i sinqertë, të cilin të gjithë e respektojmë".
DFB shpjegoi se ishte vetë Nagelsmann i cili kërkoi të lirohej nga detyra e tij pas performancës zhgënjyese të Gjermanisë në Kupën e Botës.
"Vendimi nuk ishte aspak i lehtë. Qëllimi im kryesor ka qenë gjithmonë suksesi i ekipit. Pas një zhgënjimi kaq të madh, ekipi kombëtar meriton mundësinë për të rinisur pa kufizime. Më vjen shumë keq që i zhgënjeva tifozët tanë, të cilët meritonin shumë më tepër", tha Nagelsmann.
"Vendimi i tij meriton respekt, sepse ai merr përgjegjësi dhe e vendos ekipin kombëtar para vetes. Julian është dhe mbetet një trajner i shkëlqyer dhe jam i bindur se ai do të vazhdojë të jetë i suksesshëm", tha drejtori sportiv Rudi Voeller.
DFB njoftoi gjithashtu se ndihmëstrajnerët Benjamin Glueck dhe Benjamin Huebner do të largohen gjithashtu. (A2 Televizion)