Ky është momenti kur një dron shpërtheu mbi kryeqytetin rus Moskë. Autoritetet bënë më dije se e kishin asgjësuar dronin që u pa të fluturonte mbi pjesën perëndimore të qytetit. Video të postuara në rrjetet sociale e tregojnë atë teksa fluturon mbi qytetet dhe më pas rrëzohet pranë zonës së Karamishevskaja.
“Zemra më rreh ende fort. Ndodhi në 10 e36 të mëngjesit. Po shkoja në punë kur dëshmova një shpërthim të dhunshëm. Vala tronditëse ishte aq e fortë sa mu duk sikur mu shkulën rrobat e trupit”, thotë një dëshmitare.
Kryebashkiaku i Moskës Sergei Sobyanin, bëri të ditur se droni po fluturonte në drejtim të një shënjestre të papërcaktuar, por se sistemi i mbrojtjes e kishte eleminuar. Sipas tij, askush nuk ishte lënduar pas rënies së mbetjeve në veriperëndim të qytetit dhe nuk ishin shënuar dëmë serioze.
Pamjet e dronëve në qiejt e Moskës po kthehen tashmë në normalitet, me Ukrainën që akuzohet se qëndron pas akteve të quajtura terroriste nga Rusia. Kievi sakaq, njofton fitore të vogla pranë fshatit të Robotinie në frontin jugor.
Një komandant ukrainas pretendon avancim ndërsa zyrtarët rusë flasin për luftime të ashpra. Moska ka intensifikuar bombardimet në rajonin e Kharkiv në përpjekjen për të rimarrë territor atje, duke detyruar autoritetet ukrainase të urdhërojnë evakuime në dhe rreth qytetit lindor të Kupians.
Të paktën dy vetë u vranë në Kharkiv dhe Zhaporizhia, dhe u plagosën dhjetëra të tjerë. Një fëmijë humbi jetën pas shënjestrimit të rajonit të Ivano-Frankivsk në perëndim të Ukrainës. OKB dënoi ashpër sulmin ndaj një hoteli në Zhaporzhia, që përdorej si bazë për organizatat ndërkombëtare. Në shënjestër të sulmeve ajrore u vu edhe Kievi, ku raportohet se mbetjet e një rakete ruse ranë mbi një spital fëmijësh. (A2 Televizion)