Putin kërkon zgjerim të zonës së sigurisë. Rusia pretendon marrjen e Kostantinivkës, Ukraina nuk e konfirmon

Nga A2 CNN
4 Korrik 2026, 17:41 | Bota

Rusia pretendon se ka marrë kontrollin e plotë të Kostiantinivkës, një nga qytetet me rëndësi strategjike në rajonin e Donetskut.

Njoftimi u bë gjatë një takimi të presidentit rus Vladimir Putin me komandantët më të lartë ushtarakë, shkruan A2.

Putin paralajmëroi gjithashtu se Rusia mund ta zgjerojë më tej atë që e quan “zonë sigurie” brenda territorit ukrainas: “Sa më shumë sulme të tentojë armiku kundër objekteve tona civile, aq më e madhe do të jetë zona e sigurisë që do të duhet të krijojmë në territorin përreth. Çlirimi i Republikës Popullore të Luhanskut ka përfunduar plotësisht. Shkatërrimi i formacioneve të Forcave të Armatosura të Ukrainës vazhdon në Donetsk, Zaporizhzhia dhe Kherson”.

Sipas Moskës, që nga fillimi i vitit forcat ruse kanë marrë 133 vendbanime dhe më shumë se 3 mijë kilometra katrorë territor.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm rus, Valery Gerasimov, deklaroi se vetëm gjatë muajit qershor janë marrë 29 vendbanime: “Luftimet në rrugë po zhvillohen pranë Lymanit. Marrja e qytetit është afër përfundimit. Ai është një qendër e rëndësishme administrative dhe një nyje e madhe hekurudhore, me rëndësi kyçe logjistike dhe operacionale. Forcat e grupimit Jugor kanë çliruar qytetin e Kostiantynivkës, një nga fortesat kryesore të armikut brenda zonës së fortifikuar Sloviansk–Kramatorsk–Kostiantynivka”.

Marrja e qytetit, nëse konfirmohet, do t’u krijonte forcave ruse një pikënisje për të avancuar më tej drejt veriut, përgjatë boshtit kryesor të mbrojtjes ukrainase në Donetsk. Ukraina ende kontrollon rreth një të pestën e rajonit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos