
Infektimin e personelit shëndetësor ne QSUT, Partia Demokratike e cilësoi një dështim të qeverisë, për shkak të keqmenaxhimit të krizës. Sipas demokratëve, kjo situatë do të ketë pasoja te shëndeti i qytetarëve, të cilët kanë frikë të shkojnë të marrin shërbimin për të cilin kanë nevojë.
“Shifrat e ditëve të fundit për një shtim të ndjeshëm të numrit te infektimit të personelit në Qendrën Spitalore Universitare në Tiranë janë shumë shqetësuese. Kthimi i shërbimeve spitalore nga qendra trajtuese mjekuese në burim infektimi mbarëkombëtar, është tregues, më shumë se gjithçka, i keqmenaxhimit të situatës. Infektimi i personelit në shërbimet e QSUT-së, për shkak se qeveria nuk ka siguruar masat e duhura mbrojtëse për ta, do të thotë të rëndosh seriozisht gjendjen shëndetësore delikate të pacientëve të shtruar. Rritja e numrit të rasteve me COVID përmes qendrave spitalore është përgjegjësi direkte e qeverisë”, tha Mirela Tabaku. (A2 Televizion)