
Rritja e rasteve të rënda nga “Delta” po çon spitalet Covid drejt mbushjes së plotë.
Ditët e fundit janë dyfishuar urgjencat dhe shtrimet në spital. 30 pacientë çdo ditë i drejtohen spitaleve Covid për trajtim të specializuar. Mjekët ngrenë shqetësimin se shumë nga të sëmurët shkojnë vonë dhe në gjendje të rënduar.
Mjekja e Spitalit Infektiv, Elda Qyra, tregon se një pjesë e konsiderueshme e të shtruarve janë të rinj mbi 20 vjeç. Mjekët e spitaleve Covid shpjegojnë arsyet e humbjeve të jetës tek disa nga pacientët e vaksinuar me të dyja dozat: “Nuk ka shumë raste të pacientëve të vaksinuar që kanë humbur jetën. Kanë qenë pacientë që vuanin nga 2-3 sëmundje të tjera bashkëshoqëruese”.
Aktualisht, mbi 200 pacientë janë të shtruar në shërbimin infektiv dhe në spitalin Covid-3 në QSUT. Ndërkohë, infektimet nga mutacioni indian vijojnë të jenë të larta, rreth 1 000 të prekur çdo ditë. (A2 Televizion)