
Deklarata e Erion Veliajt pas fitores ku tha se do të jetë edhe kryebashkiaku i demokratëve dhe u shtrinte dorën të gjithë kandidatëve për bashkëpunim, është komentuar në studion e Debatit në A2 CNN me analistët Plator Nesturi, Ben Andoni si edhe kryesuesin e listës së këshillit bashkiak të koalicionit bashkë fitojmë. Sipas këtij të fundit, kjo do të shihet në diskutimet dhe vendimet e këshillit bashkiak.
“Unë lexoj veprimet dhe jo fjalët dhe për disa kanalizime të veprimeve kemi institucione ligje e rregullore. Kryetari i bashkisë ka një këshill bashkiak ku janë disa forca, edhe të opozitës. Këtu është konfrontimi i ideve, sistemi vendimmarrës. Nëse diçka është për të mirën e qytetarëve vlerësohet në këtë nivel. Nëse do të donte të bashkëpunonte tezat e programet e Këlliçit i ka aty. Organi real është këshilli bashkiak dhe mund të punojmë bashkë mirë. Nëse puna është për mirë. Në të kundërt aty do të jetë konfrontimi dhe transparenca që ka munguar deri më sot”.
Për Ben Andonin, PD dha disa sinjale domethënëse në këto zgjedhje me shtrëngimin e duarve me kandidatin humbës apo fitues, por sipas tij prova më e vështirë e PD është votëbesimi i zotit Berisha, për të treguar nëse do të vazhdojë njësoj apo jo.
“Nga pjesa e PD nuk më vjen mirë që kanë qenë në kupolën e PL. Kemi pasur akte të mrekullueshme. Kandidatët e vet qoftë humbës apo fitues i kanë dhënë dorën kundërshtarit e kanë përqafuar e larguar dhe ky është një element i mirë që sheh sinjale të PD. Detajet krijojnë fenomene. Prova më e vështirë e PD është pas pak ditësh kur strukturat do të merren me votëbesimin e zotit Berisha. Nëse vazhdon njësoj është e kotë dhe bosh. PD ka mbyllur misionin e saj. Shumë shpejt këtë rrugë do ta ndjekë dhe PS se nuk na përfaqësojnë më”.
Ndërsa për Nesturin deklarata e Veliajt shihet si evolucion i shoqërisë shqiptare.
“Së pari mendoj që është reflektim i zhvillimeve të reja. Ka evolucion shoqëria shqiptare dhe kush nuk shkon pas këtij revolucioni nuk merr frytet e bashkëpunimit. Mua më duket se është një shembull. Ka platforma të mira të secilit kandidat. Nuk ka rëndësi kush fiton ato që janë të mira për qytetin, duhen shfrytëzuar. Dora e zgjatur e Veliajt është një ftesë. Të mendojmë për të ardhmen e qytetit. Po mbahet peng në aspektin politik. Deklarata e Berishës, ka një retorikë që po përcillet”. (A2 Televizion)