“Zbatojmë ujdinë pas asociacionit”, Vuçiç: Nuk e mbështesim anëtarësimin e Kosovës në OKB

Nga A2 CNN
19 Prill 2023, 16:28 | Kosova
“Zbatojmë ujdinë pas asociacionit”, Vuçiç:

Serbia nuk do të mbështesë kurrë anëtarësimin e Kosovës në OKB. Kështu u shpreh presidenti Aleksandër Vuçiç, pavarësisht faktit se ka pranuar marrëveshjen e propozuar nga BE-ja për normalizim të raporteve me Kosovën e ku ndër të tjera, kërkohet që Beogradi të mos pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

“Sot mbushen 10 vjet nga miratimi i marrëveshjes së Brukselit. Formoni asociacionin e komunave serbe me kompetenca thelbësore dhe kur ta bëni këtë, Serbia do të bëjë pjesën e saj të punës. Nuk ka lojëra lidhur me këtë”, u shpreh Vuçiç.

Gjatë një konference për shtyp me ministrin e Punëve të Jashtme të Suedisë, Tobias Billstrom, në Beograd, presidenti Vuçiç theksoi se do të përmbushin pjesën e tyre të detyrimeve, vetëm pasi Kosova të zbatojë marrëveshjen për asociacionin.

“Që të mos ketë dilema unë e përsërita cilat janë qëndrimet e Republikës se Serbisë, që do të thotë se Serbia do të përmbushë ato pika që ka marrë përsipër, por nuk do ta mbështesë kurrë anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara. Për këtë i kam informuar qartë të gjithë ata që marrin pjesë në negociata edhe palën tjetër, edhe Borell, edhe Lajçakun, Scholz, Macronin, Blinkenin dhe të gjithë në rruzullin tokësor me të cilët kemi folur”. 

Sakaq, ministri suedez shprehu pritshmërinë për zbatimin e të gjitha dispozitave të marrëveshjes dhe aneksit të zbatimit.

Sipas drejtorit të zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkovic raundi i ardhshëm i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, i cili është parashikuar të mbahet më 2 maj në Bruksel, do t’i dedikohet Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë. 

Në një intervistë për RTS, ai tha se në takimin mes Aleksanderi Vuçiç dhe Albin Kurti do të merren hapa më konkretë për formimin e asociacionit, jo siç e dëshiron kryeministri Kurti po siç është rënë dakord në marrëveshjet e viteve 2013 dhe 2015.

Hapi i parë tij është prezantimi i projektstatutit të asociacionit nga ekipi menaxhues, pasuar nga një diskutim mbi propozimin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos