Marrëdhënia midis një investitori dhe shtetit, funksionon si një martesë, e celebruar nga një kontratë, që përfshin detyrimet e secilës palë. Ashtu sikurse për çdo bashkim të ri, të gjithë duan që marrëdhënia të funksionojë, por ndodh që dikush të jetë i pakënaqur me unionin dhe kërkon t’i drejtohet divorcit. Kur investitori është i huaj, gjykatat që zgjidhin martesën janë ato të arbitrazheve ndërkombëtare. Kushtet e kontratës së firmosur janë shumë të rëndësishme, për të përcaktuar se kush është treguar jobesniku në marrëdhënie.
Ndarjet, për shtetin shqiptar, deri më tani kanë favorizuar më shpesh biznesmenët, se sa institucionet, duke bërë që gjykata t’i japë edhe kompensime të majme financiare në vlerën e disa qindra miliona eurove. Nëse ndarja e pasurisë është procesi më i dukshëm, divorci përfshin edhe shumë kosto të tjera më të fshehura që i kërkon vetë procedura dhe shpeshherë fryjnë ndjeshëm faturën.
Duke marrë shembull rastin e çështjes së arbitrazhit “Hydro Srl dhe të tjerë kundër Shqipërisë”, njohur ndryshe si çështja Becchetti, fatura e kostove të procesit rivalizon denjësisht edhe shumën e majme të dëmshpërblimit. Vetëm shteti shqiptar llogariti mbi 2 milionë euro shpenzime, konkretisht 1.2 milionë euro për tarifat ligjore të avokatëve, 531 mijë euro shpenzime për ekspertët, dëshmitarët dhe këshilltarët profesionistë, 145 mijë paund britanikë si kosto e Avokaturës së Shtetit, kosto dhe shpenzime të tjera në vlerën e 8 mijë eurove dhe 87 mijë paundëve.
Kostot për ekipin ligjor të Becchetit nga ana tjetër kapën një vlerë astronomike prej thuajse 11 milionë eurosh: konkretisht 8.3 milionë për avokatët, 1.6 milionë për tarifat e ekspertëve dhe dëshmitarëve, si dhe gati 1 milion euro shpenzime të tjera të lidhura me procesin. Nga këto shpenzime, gjykata urdhëroi Shqipërinë të paguajë 75% të kostove, pra 8.2 milionë euro.
Në shumatore shtohet edhe pagesa për Tribunalin, Asistentin e Tribunalit, tarifat administrative të ICSID dhe shpenzimet e tjera direkte në vlerën e 1.29 milionë dollarëve. Këtu i gjithë detyrimi i mbeti palës shqiptare, si humbëse.
Në një tjetër çështje të fundit, atë Copri dhe Aktor kundër Shqipërisë për shkelje në kontratën për rrugën Tiranë-Elbasan, ku shteti shqiptar rezultoi humbës dhe dëmshpërblimi u caktua në 44 milionë euro, kostot e procesit ishin sërish të larta, edhe pse procedura zgjati më pak, afërsisht 2 vite. Pala paditëse llogariti 462 mijë euro shpenzime, ku pjesa më e madhe përfshin parapagesën ndaj ICC, gjykatës ndërkombëtare të Arbitrimit në Paris. Me vendimin final, gjykata caktoi se Shqipëria duhet t’i rimbursojë 161 mijë euro kosto të paditësit. Ndërsa pala shqiptare paraqiti shpenzime prej 302 mjë eurosh për gjykatën dhe 66 mijë eurosh për përfaqësimin ligjor.
Përballë kostove të tilla, jo të vogla për një ekonomi si Shqipëria, një kohëzgjatje më e vogël e procedurës së arbitrimit do të përbënte kursim, veçanërisht kur pas shprehjes së tribunalit, shanset për të përmbysur vendimin janë thuajse zero.
Për çështjen Becchetti, ekspertët argumentojnë se vullneti i qeverisë për të mos paguar asnjë cent, pavarësisht vendimit të Tribunalit, ka zgjatur procesin në një periudhë kohore thuajse 6-vjeçare. Nga regjistrimi i parë i çështjes më 29 qershor 2015, te dhënia e vendimit më 24 prill 2019, nisja e kërkesës për anulim më 27 gusht 2019 dhe një tentativë e fundit për korrigjim të vendimit më 26 maj 2021, që e mbylli përfundimisht kalvarin e përpjekjeve më 29 korrik 2021. Kjo në finale vetëm i dha kohë qeverisë, por prodhoi të tjera kosto shtesë.
Çështja Becchetti (Hydro S.r.l. dhe të tjerët kundër Shqipërisë)
29 Qershor 2015 - Regjistrohet kërkesa
23 Nëntor 2015 - Ngrihet Tribunali
22 Janar 2016 - Nis seanca e parë me telefon
24 Prill 2019 - Tribunali jep vendimin
27 Gusht 2019 - Shqipëria regjistron kërkesën për anulim
2 Prill 2021 - Komiteti i posaçëm merr vendimin
26 Maj 2021 - Shqipëria kërkon korrigjimin e vendimit për anulim
29 Korrik 2021 - Komiteti Ad-Hoc merr vendimin
Në një dokument të 2 prillit 2021, në vendimin e gjykatës kundër kërkesës së Shqipërisë për anulim, shteti shqiptar paraqiti 1.48 milionë dollarë kosto, pa pagesat e bëra ndaj ICSID. Ndërsa pala paditëse llogariti 2.83 milionë euro kosto totale. Komiteti vendosi që pala e paditur duhet të paguajë ⅔ e kostove të përfaqësimit për llogari të ekipit ligjor të Becchettit, me vlerë 1.58 milionë dollarë dhe 25% të kostove për kërkesën për ngrirjen e vendimit, me vlerë 111 mijë dollarë. Krahas 1.7 milionë dollarëve për avokatët e Becchettit, shteti shqiptar ngarkohet edhe me faturën e Komitetit të ICSID prej 284 mijë dollarësh
Çdo vonesë në këto pagesa tarifohet me interes Libor+3%
Raporti i KLSH për Avokaturën e Shtetit zbulon qartë se sa po humbet publiku shqiptar çdo ditë nga mospagesa në kohë e detyrimeve, përmes intereseva të akumuluar që sa vijnë e shtohen. Një shembull konkret janë 10 vendimet e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Gjatë 5 viteve të fundit janë paguar vetëm 3 vendime, ndërsa 7 vijojnë të mos zbatohen. Rasti më flagrant është ai i çështjes Sharxhi dhe të tjerë kundër Shqipërisë, njohur si çështja e pallatit të vjehrrit të Lulzim Bashës. Fatura prej 13 milionë eurosh vijon të mos likuidohet prej mbi 4 vitesh nga shteti shqiptar dhe kjo çështje zë peshën kryesore në interesat e akumuluar prej 1.7 milionë eurosh për të gjitha çështjet e mospaguara që kanë të bëjnë me Gjykatën e Strasburgut.
Edhe nëse shteti është i bindur në mosdhënien e dëmshpërblimit financiar që vendos gjykata, fituesi ka të drejtë të kërkojnë ekzekutimin e vendimit në vende të tjera, kudo ku shteti shqiptar ka llogari. Në këtë rast krijohen të tjera kosto shtesë për përfaqësimin ligjor në secilin prej këtyre vendeve.
Praktikë e zakontë në çështjet e arbitrazhit është edhe kontraktimi i studiove të huaja. Për ekspertët, në çështje të komplikuara dhe me rëndësi për shkak të dëmit potencial, kontraktimi i këshilluesve ligjorë më me eksperiencë rrit shanset për fitore.
Ajo që evidenton edhe KLSH është një mungesë transparence në kontraktimin e këtyre studiove. Shpeshherë, është zgjedhur përfaqësimi nga të huaj në kundërshtim me ligjin, kur çështjet nuk kanë pasur karakter të veçantë teknik që të kërkojë këtë lloj përfaqësimi. Po ashtu, evidentohen shpenzime korrespondence me postë pa asnjë informacion të protokolluar për marrëdhëniet e Avokaturë së Shtetit me këto kompani. Avokatura ka kontraktuar studio, edhe pa lidhur një kontratë paraprake me to. Ndërsa një tjetër problem është shmangja e detyrimeve tatimore të studiove të kontraktuara, të cilave disa herë nuk u është kërkuar mbajtja e tatimit mbi fitimin në burim, apo pagesa e TVSH-së, duke krijuar evazion dhe dëm për buxhetin e shtetit.
Prania dhe këshillimi nga ana e Avokaturës së Shtetit që në fazën e hartimit të kontratave të rëndësishme, do të ishte një mekanizëm që do të rriste vigjilencën, cilësinë dhe do të mbronte interesat e shtetit shqiptar. Por auditet e vazhdueshme të Kontrollit të Lartë të Shtetit në institucionet publike që akordojnë tendera apo koncesione, tregojnë se kjo praktikë nuk ndiqet.
Praktika ndërkombëtare cakton ndërmjetësimin, si një hallkë të nevojshme para se palët t’i drejtohen arbitrazhit. Edhe në vendin tonë ulja në tryezë mes palëve nuk është një proces i panjohur dhe në disa raste mund të shmangë prishjen e kontratës, duke negociuar për kushte të reja. I tillë është rasti i negociatave me koncesionarin e aeroportit të Rinasit në vitin 2019, që pati kosto konsulence për shtetin vetëm 250 mijë euro, por arriti të nxjerrë të kënaqura palët, duke shmangur qindra mijëra euro kosto të tjera të një procesi gjyqësor.
Në fitore, pala shqiptare ka të drejtë të kërkojë rikuperimin e kostove të procesit. Por sipas auditimeve, për disa gjyqe të fituara, Avokatura e Shtetit nuk ka informacion për zbatimin e vendimit, apo duhet ende të marrë masat për të kërkuar pagesën e shpenzimeve.
Në rekomandimet kryesore që i bën Avokaturës së Shtetit, KLSH kërkon që të analizohen dosjet gjyqësore për rastet e humbura me kosto financiare për taksapaguesit shqiptarë. Kjo në mënyrë që evidentohen shkeljet dhe mosveprimet dhe të nxirren para përgjegjësisë institucionet apo personat përgjegjës, që të shmangen veprimet e padrejta dhe abuzive në të ardhmen. Por kjo analizë nuk ndodh.
Krahas ndëshkimit të fajtorëve dhe rekuperimit ku është e mundur të dëmit shkaktuar buxhetit, ekspertët kërkojnë edhe më shumë transparencë në çështjet e arbitrazhit. Përgjithësisht, publiku dhe mediat informohen mbi këto çështje përmes dokumenteve që publikojnë vetë paditësit, ndërsa Avokatura e Shtetit mbrohet me parimin e konfidencialitetit. Transparenca e plotë për publikun, do të ishte një avantazh shtesë për formimin e eksperiencave të juristëve dhe vetë institucioneve në menaxhimin e kontratave në të ardhmen.
Përveç dëmit financiar të matshëm, çështjet në gjykata ndërkombëtare krijojnë edhe një kosto të madhe në imazhin e vendit. Jo për faktin se shteti paditet, pasi mosmarrëveshje ka në të gjitha vendet dhe të gjitha shtetet paditen në arbitrazh, por mosrespektimi i kontratave, mospagesa e detyrimeve që vendosin gjykatat dhe zvarritja e procesve krijojnë edhe një tjetër dëm në sytë e investitorëve potencialë.
Arbitrimet janë një praktikë e zakontë në një botë ku sipërmarrës nga e gjithë bota investojnë në vende të ndryshme nga vendi i tyre i origjinës. Po ashtu, edhe dështimi i një marrëveshjeje është një fenomen që ndodh shpesh. Por në një vend ku askush nuk mbahet përgjegjës, ku askush nuk kërkon të mësojë prej humbjeve, ku detyrimet ligjore nuk zbatohen dhe proceset e pagesat zvarriten, gjasat janë që situata të mbesë e njëjtë. Në fund përfitojnë vetëm ekipet ligjore që arkëtojnë shumat e majme të këshillimit dhe arbitrimit. Ndërsa publiku shqiptar duhet të vuajë pasojat e veprimeve të zyrtarëve të zgjedhur prej tij, bashkë me interesa. (A2 Televizion)