Zëvendësonin foshnjat në maternitete, rrjeti grek i trafikut të fëmijëve fitoi 3 milionë euro

Nga A2 CNN
9 Gusht 2023, 17:54 | Ballkani
Zëvendësonin foshnjat në maternitete, rrjeti grek i trafikut

Detaje tronditëse janë zbardhur nga mediat greke për skemën e zëvendësimit të foshnjave të porsalindur në maternitete dhe birësimet e paligjshme.

Aktualisht 8 persona kanë përfunduar pas hekurave nga rrjeti kriminal që trafikonte foshnja dhe përdorte teknikën e nënave surrogate, mes të cilëve dy mjekë nga Chania e Kretës.

Të arrestuarit kanë një karrierë të gjatë në fushën e mjekësisë, ndërsa nuk përjashtohen ndalime të më shumë personave në të njëjtin spital.

Hetimet që po kryhen nga Prokuroria kundër Krimit të Organizuar në Athinë kanë nxjerrë në pah se fitimet e grupit i kalonin 3 milionë euro.

Shuma e fituar sipas auditit të SDOE-së që citon Protothema, është “depozituar” në 5 kompani offshore nga anëtarët e rrjetit të trafikut të foshnjave në Kretë.

Sipas burimeve të mirëinformuara, kompanitë kanë funksionuar për të paktën gjashtë vitet e fundit dhe çdo muaj kishin një histori lëvizjesh të shumave të mëdha të parave.

Hetimi është në vijim, por policia në bashkëpunim me SDOE po tenton të bllokojë këto shuma dhe t'i konfiskojë.

Sakaq, mësohet se rrjeti i trafikantëve shfrytëzonte gratë vulnerabël dhe i përdorte ato si dhuruese vezësh dhe nëna surrogate. Ata po ashtu mashtronin pacientët përmes transfertave të rreme të embrioneve dhe ndërmjetësonin birësime të paligjshme.

Deri në dhjetor 2022 janë regjistruar të paktën 182 raste të shfrytëzimit të grave në fushën e heqjes së ovociteve dhe zëvendësimit, ndërsa u hetuan më shumë se 400 raste të mashtrimit përmes IV-ve virtuale.

Fitimet e organizatës kriminale për programin e surrogacisë zakonisht varionin nga 70.000 deri në 100.000 euro, ndërsa në disa raste arrinin edhe deri në 120.000 euro.

https://a2news.com/2023/08/09/zevendesonin-foshnjat-ne-spital-dhe-benin-biresime-te-paligjshme-arrestohen-dy-mjeke-ne-krete/

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Loneta Progni