
Pas parashtrimit të pretendimeve përfundimtare të palëve ankimuese, Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve u tërhoq për të marrë një vendim mbi vlefshmërinë e zgjedhjeve në Qarkun Gjirokastër. Vendimi u njoftua se do të shpallet në orën 13:00 dhe më pas do të vijohet me Qarkun Berat, sa i takon ankimit për pavlefshmëri zgjedhore nga PD dhe LSI.
Altin Kaziaj, përfaqësuesi i LSI në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, kërkoi shpalljen të pavlefshme të zgjedhjeve në Bashkinë Dropull, për rrjedhojë edhe shpalljen të pavlefshëm të rezultatit në të gjithë qarkun. Ai tha se persona të ardhur nga Greqia nuk kanë respektuar protokollin anti-Covid për t’u karantinuar, por kishin votuar e madje ishin edhe komisionerë të Partisë Socialiste.
Ndërsa përfaqësuesi i PD, Marash Logu, tha se ministri i Brendshëm, Bledar Çuçi, në bashkëpunim me Aranit Arapin dhe Ermir Gërxhanin, kishin ngritur një strukturë kriminale të blerjes së votave, përmes parave, ndihmave, por edhe kërcënimeve. Ai akuzoi edhe anëtarët e KAS për mosmarrjen parasysh të provave të paraqitura për abuzimet e shumicës jo vetëm në këtë qark, por për të gjithë vendin, çka shkaktoi edhe debate me anëtarët e KAS.
Kreshnik Merxhani, kandidati i pavarur në Gjirokastër tha: “Është provuar me pamje filmike që anëtarët e grupit të numërimit, në bashkëpunim edhe me anëtarë të KZAZ, kanë ndërhyrë në tjetërsimin e votës. Për këtë manipulim ka pasur një miratim në heshtje e anëtarëve të KZAZ, e vërtetuar shumë qartë nga pamjet filmike. “Kemi gati 5% të votave të shpallura të pavlefshme. Mbulimi me gisht i katrorit të kandidatit të pavarur haset në mbi 20 raste të kapur nga kamerat”, tha Merxhani.
Gjatë leximit të pretendimeve përfundimtare nga palët, nuk mori pjesë përfaqësuesi i Partisë Socialiste, Eridian Salianji. (A2 Televizion)