Leskaj: Kemi provat për deformimin e zgjedhjeve, KAS s’ka kurajë të zbatojë ligjin, po bëhet palë me pushtetin

Nga A2 CNN
19 Maj 2021, 11:09 | Politikë
Leskaj: Kemi provat për deformimin e zgjedhjeve, KAS s’ka kurajë

Bujar Leskaj, kandidati i PD në zgjedhjet e 25 prillit në qarkun e Vlorës, ka akuzuar KAS në KQZ se po u mohon shqiptarëve të drejtën për transparencë.

Ai u shpreh në një deklaratë për mediat se KAS nuk ka kurajë për të zbardhur të vërtetën dhe po bëhet palë me pushtetin për blerjen e zgjedhjeve.

“Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve në KQZ u ngrit si një organ që duhet të garantonte të drejtën e shqiptarëve për votën e lirë. Ky mision po zhbëhet çdo ditë nga 3 anëtarët e zgjedhur të Partisë Socialiste, të cilët po u mohojnë shqiptarëve të drejtën për transparencë të zgjedhjeve të blera.

Pas Gjirokastrës dhe Beratit, shërbëtorët e Edi Ramës në KAS refuzuan t’u kërkojnë institucioneve shtetërore provat zyrtare të blerjes së zgjedhjeve përmes shtetit dhe krimit edhe në qarkun e Vlorës.

KAS refuzoi të bëjë drejtësi për qytetarët e Vlorës, Sarandës, Delvinës, Himarës, Selenicë, Konispolit, sepse anëtarët e KAS-it duan të mbrojnë dhe të fshehin vjedhjen e zgjedhjeve nga sekti Rama.

Ne paraqitëm provat tona se në qarkun e Vlorës rezultati i zgjedhjeve u deformua nga punësimet masive elektorale dhe të paligjshme, nga përdorimi i drejtuesve të disa institucioneve për blerjen e votave përmes përdorimit të resurseve publike, nga dhënia e paligjshme e lejeve të legalizimit dhe nga akte të tjera kundra ligjit në këmbim të votave për pushtetin e Edi Ramës.

Duke refuzuar të marrë informacionin zyrtar për të gjitha këto shkelje që kanë lënë gjurmë në sistem dhe që masakruan zgjedhjet e lira e të ndershme, KAS bëhet palë me pushtetin për blerjen e zgjedhjeve.

Dosja e qarkut të Vlorës është e mbushur me provat tona që faktojnë vjedhjen e zgjedhjeve, por ne e dimë se sekti Rama ka kapur gjithë strukturat shtetërore në vend dhe e përdor shtetin në shërbim të pushtetit, jo të qytetarëve vlonjatë dhe shqiptarëve.

Sot e kësaj dite, KAS refuzon t’u përgjigjet pyetjeve të thjeshta: Pse refuzon të marrë informacion në zyrat e Kadastrës për legalizimet elektorale, në zyrat e Bashkisë dhe disa agjencive qeveritarë për punësimet e paligjshme elektorale, përdorimin e paligjshëm të burimeve publike? Pse refuzon t’u kërkojë agjencive ligjzbatuese informacion për përfshirjen e krimit në blerjen e votës.

Për të bërë transparencë duhet vullnet dhe kurajë, për të zbatuar ligjin dhe jo urdhrat e regjimit Rama.

Kur e nisëm këtë betejë e dinim që institucione si KAS nuk e duan të vërtetën dhe nuk do të bëjnë drejtësi, por është detyra jonë të paraqesim të gjitha provat. Ne do të vazhdojmë të luftojmë për të vërtetën dhe për shqiptarët!

Rama dhe sekti i tij mund ta pengojë për pak, por nuk ka forcë ta ndalojë transparencën për masakrën zgjedhore. Transparenca dhe drejtësia për 25 Prillin do të bëhet e plotë, do apo nuk do Rama dhe veglat e tij në KAS”, mbyllet deklarata e Leskajt.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Dita jonë 2024