Sondazh: A duhet prindërit të publikojnë fotot e fëmijëve në rrjetet sociale?
  • Po 14%
  • Jo 86%

Zgjedhjet në Kukës, Meta: Do të mbështesim kandidatin që propozon Berisha

Nga A2 CNN
16 Gusht 2023, 16:31 | Politikë
Zgjedhjet në Kukës, Meta: Do të mbështesim kandidatin

Ilir Meta u shpreh qartë se nuk ka asnjë pretendim për emrin e ri të Bashkisë së Kukësit, por do të mbështesë çdo kandidat që do të propozojë Sali Berisha. Në një konferencë për mediat, Meta tha se Partia e Lirisë po punon me të gjithë aleatët, por nga negociatat përjashtoi Lulzim Bashën. 

“Do të mbështesim kandidatin që do të përzgjedhë PD-ja dhe të gjithë aleatët e saj. Kjo është e padiskutueshme. Nuk kemi asnjë pretendim për asnjë kandidat nga PL për bashkinë e Kukësit dhe nuk kemi pasur as më përpara. Qëllimi ynë i qartë për t’i shërbyer një kohezioni sa më të suksesshëm opozitar përballë një sistemi. Ne do mbështesim çdo kandidat që mbështet PD dhe pa asnjë diskutim dhe me bindje të plotë, për më tepër që është mundësia që Kukësi të vendosë dinjitetit e tij të cenuar nga manipulimi në zgjedhjet e 14 Majit”, tha Ilir Meta.

Taksat e reja të propozuara nga qeveria, atë për pronën dhe sigurimin e detyrueshëm për tërmetet, i quajti arbitrare.  

“Pa kaluar as 100 ditë nga zgjedhjet vendore të 14 Majit, qeveria në mënyrë arbitrare dhe të pabesë ka marrë një vendim, i cili rrit nga 50 për qind deri në 75 për qind, pagesën që familjet shqiptare duhet të paguajnë si taksë për pronat e tyre, për shkak të Vendimit të Qeverisë që rriti çmimet e referencës së pronave duke zhvatur në këtë mënyrë dhjetëra milionë euro nga buxhetet e familjeve shqiptare. Projektligji për Sigurimin e detyrueshëm të banesave për tërmetin, është gjithashtu një tjetër taksë që do të rëndojë të gjithë shqiptarët që janë pronarë të një banese”, shtoi kreu i PL.

Kreu i Partisë së Lirisë u ndal edhe tek protesta e zhvilluar në Himarë, ku qytetarë shqiptarë dhe grekë kërkuan lirimin e kreut të zgjedhur të bashkisë, Fredi Belerit. Sipas Metës, shteti ka funksionuar si një juntë me rastin e Belerit dhe shtoi se po mbahet në burg pa të drejtë. 

“Kam një qëndrim shumë të qartë për rastin Beleri, i cili është i burgosur politik i kryeministrit aktual. Provat nuk kanë munguar. Rasti Beleri është rasti i shembjes së shtetit të së drejtës në vendin tonë. Qëllimi i arrestimit ka qenë një, bllokimi i tij fizik me qëllim humbjen e bashkisë së Himarës dhe së dyti dhe qëndrimi që u mbajt ndaj tij është demonstrim i mosekzistencës së shtetit ligjor”, përfundoi Ilir Meta.

Meta pohoi se Beleri po mbahet në burg qëllimisht për të vijuar tjetërsimi i pronave në Himarë, pasi siç tha kreu i zgjedhur i bashkisë kishte premtuar që do e ndalonte këtë gjë. 

A2 Business