Nga sot vendi ka një Avokat Shteti të ri. Alma Hicka është zëvendësuar nga Artur Metani, këshilltari juridik i kryeministrit Edi Rama. Ndërkohë në Komisionin e Ligjeve u diskutuan ndryshimet ligjore që e kalojnë këtë institucion nën varësinë direkte të Kryeministrit.
Deputetët e mazhorancës kanë miratuar në parim, në Komisionin e Ligjeve, projektligjin për disa ndryshime të ligjit ‘Për Avokaturën e Shtetit’, në mungesë të përfaqësuesve të opozitës. Një nga këto ndryshime është kalimi i varësisë së Avokaturës së Shtetit nga Ministria e Drejtësisë tek Kryeministri.
Një tjetër çështje e rëndësishme e përmendur është ekzekutimi i vendimeve të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg.
Projektligji për disa ndryshime të ligjit ‘Për avokaturën e shtetit’ është pjesë e paketës ligjore të Reformës në Drejtësi. (A2 Televizion)