Beteja elektorale për drejtuesit e rinj të pushtetit vendor po shkon drejt fundit. Por premtimet e kandidatëve, sulmet e tyre politike dhe dhjetëra orë transmetim në media duket se nuk kanë tërhequr vëmendjen e votuesve më të rinj në këto zgjedhje.
Teksa bisedojmë me të rinj në gjimnazet e kryeqytetit të flasin për një realitet tjetër. Jo vetëm që nuk i njohin kandidatët për bashkinë e Tiranës, por as nuk janë në dijeni të zhvillimit të zgjedhjeve të dielën e 14 majit.
Edhe kur i pyet nëse do të shkojnë në votime, jo të gjithë kanë një përgjigje të saktë. Por një lloj sigurie e gjen te 18-vjecarët që duan të angazhohen në politikë.
Të tjerë gjimnazistë të “Petro Ninit” dhe "Çajupit" nuk fshehin indiferencën ndaj zgjedhjeve për shkak të besimit të ulët ndaj politikës.
Por edhe nëse shkojnë, thonë se vota e tyre do të orientohet sipas bindjeve të familjes. Sipas listave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të dielën e 14 majit votojnë për herë të parë afro 122.500, 18-vjeçarë. (A2 Televizion)