Balla takon ish-Presidentin francez Hollande: Shqipëria më pranë se kurrë BE-së

Nga A2 CNN
24 Qershor 2026, 18:56 | Politikë

Balla takon ish-Presidentin francez Hollande: Shqipëria më pranë

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, priti në Kuvendin e Shqipërisë ish-Presidentin e Francës, François Hollande, në një takim ku në fokus ishte procesi i integrimit europian të vendit dhe sfidat e demokracisë në kohët moderne.

Gjatë bisedës, Balla vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Francës ndaj Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Evropian, duke theksuar se vendi ynë po avancon me ritme të shpejta drejt objektivit strategjik të anëtarësimit brenda kësaj dekade.

Sipas Ballës, Shqipëria ndodhet në një moment historik të procesit të integrimit, duke u renditur së bashku me Malin e Zi ndër vendet më të avancuara të raundit aktual të zgjerimit të BE-së.

Nga ana e tij, ish-presidenti francez François Hollande ka inkurajuar autoritetet shqiptare të vijojnë me reformat dhe të shfrytëzojnë mundësinë që ofron momenti aktual politik në Evropë.

“Mos e humbni këtë shans të madh”, është mesazhi që Hollande ka përcjellë gjatë takimit.

Pjesë e diskutimeve kanë qenë edhe protestat qytetare dhe ndikimi i tyre në funksionimin e demokracive moderne. Balla solli në vëmendje përvojën e Francës gjatë presidencës së Hollande, kur vendi u përball me protestat e lëvizjes “Nuit Debout” (“Natë në këmbë”).

“Çështjet apo kauzat e protestave mund të jenë të drejta, por ato duhet të ndiqen në rrugë institucionale. Gjithmonë ndodh, si edhe në Francë, që protesta të caktuara të përdoren nga aktorë të huaj jo-miqësorë për qëllimet e tyre”, u shpreh Balla.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos