Lulzim Basha nën hetim për lobimin në SHBA – A2

Lulzim Basha nën hetim për lobimin në SHBA

Prokuroria ka lëshuar ditën e sotme një urdhër paraqitje ndaj kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha në lidhje me lobimin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Janë kryer veprimet e nevojshme hetimore, nga të cilat kanë rezultuar elementët e veprave penale të parashikuara nga nenet 190/3 dhe 287/ç të Kodit Penal të kryera nga Lulzim Basha, Arben Ristani dhe Ilir Dervishi”.

Në urdhrin e paraqitur nga Prokuroria thuhet se kërkohet për të njoftuar akuzën dhe për t’u marrë në pyetje me cilësinë e të pandehurit, shtetasi Lulzim Basha. Përveç kreut të PD, Prokuroria bën të ditur se nën hetim janë edhe Arben Ristani dhe Ilir Dervishi.

“Ftojmë për t’u paraqitur në Prokurori më datë 17/06/2016, ora 09:30 shtetasin Lulzim Basha. Në rast mos paraqitje ditën edhe orën e caktuar, pa patur pengesë të ligjshme, paralajmëroheni se në bazë të nenit 308 të Kodit të Procedurës Penale urdhërohet shoqërimi i detyrueshëm nga Policia Gjyqësore”, thuhet në urdhrin e Prokurorisë.

Për të njëjtën çështje, Basha është paraqitur në Prokurori edhe në muajin mars të këtij viti, duke i mohuar akuzat se ka shkelur ligjet e me kontratat e lobimit në SHBA në fushatën elektorale të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017. “Ka një vit e gjysmë që ka nisur ky hetim, ka 6 muaj që kanë ardhur përgjigjet nga SHBA e Britania e Madhe. Ato vërtetojnë se PD dhe drejtuesit e saj nuk ka shkelur asnjë ligj në Shqipëri, Amerikë e Britani. I kërkoj prokurorisë të bëjë publike përgjigjet e SHBA dhe Britanisë”, shprehej Basha.

Prokuroria thotë, se ka një mospërputhje mes deklarimeve zyrtare të bëra nga PD dhe shpenzimeve reale.

Sipas prokurorisë, PD ka deklaruar vetëm shumën prej 25 000 dollarësh, dhe nuk ka bërë deklarime për shumën prej 650 000 dollarësh. “Nga provat e administruara në dosje rezultojnë të jenë kryer dy pagesa në shumën prej 650 000 dollarësh për efekt lobimi në SHBA, të cilat nuk janë deklaruar ligjërisht nga subjekti PD. Njëra nga këto pagesa rezulton të jetë bërë nga një shoqëri e huaj dhe konkretisht Biniatta Trade”, thuhet në njoftimin zyrtar të Prokurorisë së Tiranës.

Neni 287/ç: “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale, nëpërmjet kryerjes së veprimeve financiare ose transaksioneve të copëzuara për shmangien nga raportimi, sipas legjislacionit për parandalimin e pastrimit të parave”.

Neni 190
Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve. Falsifikimi ose përdorimi i vulave, i stampave apo i formularëve të falsifikuar ose paraqitja e rrethanave të rreme në këto të fundit, që u drejtohen organeve shtetërore, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në katër vjet. Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë apo ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në pesë vjet. Kur falsifikimi bëhet nga personi që ka për detyrë hartimin e tyre, dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet.

Shkarkoni aplikacionin e A2