Kush është Arjan Ndoja, prokurori që u qëllua me armë në Durrës

Arjan Ndoja është prokuror në Prokurorinë e Rrethit Durrës prej vitit 2008. Ai u rikthye në sistemin e Prokurorisë nga ish-kryeprokurorja Ina Rama. Më herët ai ishte shkarkuar nga detyra nga paraardhësi i saj, Theodhori Sollaku. Gjatë periudhës 4 vjeçare që nuk ishte prokuror Ndoja ushtroi funksionin e avokatit, ku mbrojti emra të njohur të botës së krimit. Në këtë periudhë ai shtoi pasurinë e tij me 740 mijë euro.

Në vitin 2008 ai u kallëzua nga ILDKPI për deklarim të rremë të pasurisë, por Prokuroria në atë kohë e pushoi procedimin penal. Pas këtij vendimi, Prokuroria e Përgjithshme ndërpreu edhe pezullimin e përkohshëm nga detyra duke e rikthyer në pozicionin e prokurorit.

Prokurori Arjan Ndoji ka qenë nën akuzat e zv.kryeministrit Erjon Braçe se ka ushtruar presion gjatë hetimeve për regjistrimin e disa pronave në Durrës, çështje për të cilat u arrestua edhe ish drejtori i Kadastrës së Durrësit, Liridon Pula.

Zv.kryeministri Erjon Braçe ishte i pranishëm në seancën gjyqësore ndaj Pulës nga ku akuzoi prokurorin e çështjes Arjan Ndoja se “ka ushtruar presion ndaj punonjësve për të tjera objekte, duke përdorur çështjen në fjalë”. Pula akuzohet për një objekt i cili ka marrë leje zhvillimi dhe leje ndërtimi.

Shkarkoni aplikacionin e A2