Avokati Edmond Petraj, i cili thotë se ka qenë një nga mbështetësit e parë të protestës qytetare kundër qeverisë, ka shprehur dyshime mbi natyrën dhe organizimin e saj, duke vënë në pikëpyetje nëse kemi të bëjmë me një revoltë spontane qytetare apo me një projekt politik të maskuar. Duke folur në një lidhje për emisionin “Terminal” me Aurora Sulçe në A2CNN, avokati tha se me kalimin e ditëve janë shtuar pikëpyetjet për rolin e partive politike dhe figurave të lidhura me opozitën në protestë.
“Unë kam qenë një nga mbështetësit e fillimeve të kësaj proteste. Kanë filluar kush ka dy sy dhe dy veshë, rritet dyshimi, dhe pyet veten a po përdoret protesta nga partitë e vogla dhe opozita për interesa politike apo jo. Pse e them këtë? Sa më shumë kalon koha, aq më shumë shtohen dyshimet mbi natyrën e vërtetë të kësaj proteste”, u shpreh Petraj.
Avokati theksoi se prania e vazhdueshme e figurave politike, militantëve dhe ish-kandidatëve të partive opozitare ka krijuar perceptimin se protesta mund të jetë duke u orientuar nga interesa politike.
“Prania e vazhdueshme e figurave politike dhe e militantëve apo ish-kandidatëve për ish-deputetë, apo njerëz të lidhur me partitë e vogla apo opozitën, ka bërë që një qytetar të pyesë nëse kemi të bëjmë me një revoltë spontane, apo me një projekt politik të maskuar si lëvizje qytetare.”
Një tjetër kritikë e Petrajt lidhet me mungesën e një strukture drejtuese dhe të një grupi përfaqësues që të flasë në emër të protestuesve.
“Pse kjo protestë s’po nxjerr një grup drejtues të qartë dhe një ekip negociues të flasë në emër të protestuesve. Unë e kam kërkuar. Një protestë që s’ka nxjerrë akoma ekipin negociator, një lider, s’ka se si të quhet një protestë qytetare pa kokë. Një protestë pa lider, pa strukturë, pa përgjegjësi publike, rrezikohet të kthehet në zhurmë dhe pa drejtim. Prandaj lind pyetja: A është vërtetë protestë qytetare apo investim politik i maskuar?”
(A2 Televizion)