
Kanë nisur grumbullimet e para të qytetarëve për protestën e 21-të që zhvillohet këtë të shtunë para godinës së Kryeministrisë në Tiranë. Tubimi, i cilësuar nga organizatorët si një protestë mbarëkombëtare, mbledh pjesëmarrës nga qytete të ndryshme të vendit, por edhe shqiptarë të ardhur nga diaspora.
Një pjesë e qytetarëve që kanë mbërritur nga jashtë vendit po qarkullojnë në autokolona në rrugët kryesore të kryeqytetit, duke valëvitur flamuj kuq e zi në automjetet e tyre, në shenjë mbështetjeje për protestën. Në formë simbolike po vendosen këpucë, për të larguarit jashtë Shqipërisë përgjatë viteve të fundit.
Në zonën përreth Kryeministrisë vihet re një prani e shtuar e forcave të policisë, të angazhuara për garantimin e rendit dhe mbarëvajtjen e tubimit.
Kërkesa kryesore e protestuesve mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe rrëzimi i qeverisë. Më herët gjatë ditës, kryeministri Edi Rama reagoi ndaj thirrjeve për largimin e tij nga detyra, duke i cilësuar kërkesat e protestuesve si të pabazuara dhe jashtë realitetit.
(A2 Televizion)