Dialogu me Serbinë, Franko Egro: Kurti duhet të përgatitet shpejt dhe qartë

Gazetari Franko Egro, në studion e “Absolut 4” në A2, deklaroi se kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti, “duhet të përgatitet shpejt dhe qartë”, për dialogun me Serbinë, duke shtuar se dialogu duhet të jetë prioritet.

“Pritet forma që do të marrë ndërhyrja e SHBA-së në rebusin e dialogut me Serbinë. Kurti e di që dialogu është i rëndësishëm, në mbrëmjen e fitores ai e vlerësoi si prioritet numër 6 apo 7. Nga ana tjetër, ai e di se duhet të përgatitet shpejt dhe qartë për këtë dialog, që duhet të jetë prioritet. Kurti nuk duhet të jetë i izoluar dhe i vetëm. Kjo është çështje thelbësore dhe mendoj se edhe opozita duhet të ketë rolin e saj”, u shpreh Egro.

Sipas tij, “ajo që pamë nga Albin Kurti ishte epilogu i të gjithë mënyrës se si është zhvilluar fushata”.

“Lëvizja Vetëvendosje arriti të kuptonte dhe të sinkronizonte dëshirën e opinionit me atë që përfaqësojnë ata në vetvete. Ajo që më tërhoqi vëmendjen nga fjalimi ishte një lloj përulësie që manifestoi kundrejt marrjes së detyrës. Tashmë, është kryeministër dhe i lirë të bëjë ato që ka premtuar. Tani do të shohim se si do të qeverisë zoti Kurti”, theksoi Egro.