
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se i ka kërkuar Kinës të qëndrojë jashtë konfliktit me Iranin dhe se presidenti kinez Xi Jinping ka pranuar këtë kërkesë.
Gjatë një prononcimi për gazetarët, Trump tha se e falënderoi Kinën për mosndërhyrjen në krizën rajonale, pavarësisht varësisë së madhe të Pekinit nga furnizimet me energji që kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit.
“Dua të falënderoj Kinën, sepse i kërkova të mos përfshihej me Iranin”, u shpreh Trump.
Presidenti amerikan theksoi se Kina siguron rreth gjysmën e importeve të saj të naftës përmes kësaj rruge strategjike detare, e cila konsiderohet jetike për tregtinë globale të energjisë.
“Ata marrin 50 për qind të naftës së tyre përmes Ngushticës së Hormuzit, por unë i kërkova Xi Jinpingut të mos përfshihej dhe ai tha se nuk do ta bënte dhe nuk u përfshi. Ai u tregua shumë i sjellshëm dhe unë e vlerësoj këtë”, deklaroi Trump.
(A2 Televizion)