Përplasje në samitin e BE-së, Meloni dhe Sánchez debatojnë ashpër për emigracionin

Nga A2 CNN
19 Qershor 2026, 21:47 | Bota

Përplasje në samitin e BE-së, Meloni dhe Sánchez

Politikat e emigracionit kanë shkaktuar tensione mes liderëve evropianë gjatë mbledhjes së fundit të Këshillit Evropian, ku në qendër të debatit u vendosën kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe kryeministri spanjoll Pedro Sánchez.

Debati nisi pasi kryeministrja daneze Mette Frederiksen përshëndeti miratimin nga Parlamenti Evropian të rregullores së re për kthimin e emigrantëve dhe kërkoi një diskutim strategjik mbi politikat e emigracionit në Bashkimin Evropian.

Megjithatë, Pedro Sánchez shprehu kundërshtimin e tij ndaj kësaj qasjeje, duke deklaruar se nuk sheh nevojën për debate të tjera strategjike dhe se rregullorja e re për kthimet nuk do të prodhojë rezultatet e pritshme.

Deklaratat e tij sollën reagimin e menjëhershëm të Giorgia Melonit, e cila kritikoi vendimin e qeverisë spanjolle për legalizimin e qindra mijëra emigrantëve pa dokumente. Kryeministrja italiane argumentoi se kjo politikë nuk ndikon vetëm në Spanjë, por ka pasoja edhe për vendet e tjera evropiane, duke ndikuar drejtpërdrejt në menaxhimin e flukseve migratore.

Në debat u përfshi edhe kryeministri belg Bart De Wever, i cili mbështeti qëndrimin e Danimarkës me deklaratën e shkurtër: “Unë jam në ekipin e Mettes”.

Për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të diskutimit, presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, ndërhyri duke mbyllur debatin dhe duke njoftuar se çështja e emigracionit do të diskutohet më gjerësisht në një samit të ardhshëm të liderëve të Bashkimit Evropian. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos