
Tensionet mes presidentit amerikan Donald Trump dhe kryeministres italiane Giorgia Meloni janë përshkallëzuar pas një serie deklaratash publike të shkëmbyera mes dy liderëve.
Në një intervistë për rrjetin televiziv amerikan NBC, Trump u shpreh kritik ndaj Melonit, duke deklaruar se ishte zhgënjyer nga qëndrimi i saj në lidhje me çështjen e Ngushticës së Hormuzit.
“Meloni më mbështeste me fanatizëm, por nuk e dua as si fanse, sepse nuk më qëndroi pranë, as ajo dhe as NATO, kur lindi çështja e Ngushticës së Hormuzit”, tha presidenti amerikan.
Më herët, Trump kishte deklaruar për median italiane La7 se kryeministrja italiane i ishte lutur për të realizuar një foto së bashku gjatë samitit të G7, duke shtuar se “i kishte ardhur keq për të”.
Deklaratat e presidentit amerikan sollën reagimin e menjëhershëm të Giorgia Melonit, e cila përmes një videoje të publikuar në rrjetin social X i cilësoi pretendimet e Trump si “një shpikje të pastër”.
“Deklaratat e Donald Trump janë një shpikje e pastër. Jam sinqerisht e habitur. Nuk e di përse presidenti i Shteteve të Bashkuara sillet në këtë mënyrë ndaj aleatëve të tij”, u shpreh Meloni.
Kryeministrja italiane shtoi se është zhgënjyese që Trump tregon më shumë tolerancë ndaj kundërshtarëve të Perëndimit sesa ndaj aleatëve tradicionalë të SHBA-së.
“Ka diçka që duhet ta kujtojë: as unë dhe as Italia nuk i lutemi kurrë askujt”, deklaroi ajo.
(A2 Televizion)