“Konjufca është në pozicionin që i takon të jetë”

studio 1 1100x620

Në “Absolut 4” u komentua profili i zotit Glauk Konjufca, kryeparlamentarit të ri të Kosovës dhe së shpejti edhe ushtrues i detyrës së Presidentit.

Rosalba Bejdo, producentja e lajmeve ndërkombëtare në A2, deklaroi se “nuk dihet për sa kohë do të jetë ushtrues i detyrës së Presidentit”, duke shtuar dhe zgjedhja e kreut të ri të shtetit është urgjente.

“Konjufca është bashkëpunëtor i ngushtë i Albin Kurtit dhe prandaj opozita thotë se Kurti po tenton të marrë të gjitha pushtetet”, deklaroi Bejdo.

Analisti Adri Nurellari e vlerësoi figurën e Konjufcës: “Është në pozicionin që i takon të jetë, është një nga personazhet më të spikatura të Lëvizjes Vetëvendosje. Nuk ka pasur mjaftueshëm kohë për të treguar veten diku. E shikoj më të përshtatshëm si pozicion atë të kryetarit të Kuvendit, pasi Konjufca ka dimension më të moderuar dhe njerëzor. Mendoj se është në pozicionin e duhur, nuk është natyrë aq konfliktuale sa të tjerët e Vetëvendosjes”.

Edhe gazetari Franko Egro mendon se roli i kreut të Parlamentit është më i përshtatshmi për Glauk Konjufcën: “Është numri 2 i Vetëvendosjes dhe e shoh si kryetar Parlamenti shumë të aftë. E shikoj si politikan në rritje dhe është në vendin e duhur në këtë pozicion”.