Nurellari: Papërgjegjshmëri e Kurtit fakti që nuk përmend në program dialogun me Serbinë

Analisti Adri Nurellari, në studion e “Absolut 4” në A2, e quajti papërgjegjshmëri të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, faktin që në programin e tij nuk e ka përmendur dialogun me Serbinë.

“Tani, Kurti do të ballafaqohet me sfidat që ka kryeministri dhe një nga kryesoret është dialogu me Serbinë. Këtu e shoh hipokrizinë dhe problemin e parë. Fakti që në program qeverie nuk e përmend, tregon papërgjegjshmëri, pasi dialogu është sfidë e jashtëzakonshme. Kjo vë në pikëpyetje nëse e ka marrë apo jo seriozisht punën e kryeministrit”, u shpreh Nurellari.

Analisti shtoi se deklaratat e mëparshme të zotit Kurti janë deligjitimuar nga këto zgjedhje: “Opozita e pranoi rezultatin në mënyrë shumë dinjitoze, pa tymues dhe spraj, siç bënte zoti Kurti. Gjithashtu, u deligjitimuan deklaratat e tij të mëparshme, kur thonte se është shtet i kapur dhe demokracia nuk funksionon. Demokracia funksionoi sepse Kurti erdhi në pushtet jo në mënyrë të dhunshme dhe rezultati doli brenda ditës”.

Sipas tij, “zgjedhjet e fundit në Kosovë ishin verdikt i mirëfilltë ndaj keqqeverisjes së zotit Hoti”.