Imami: Nëse gjërat nuk përmirësohen në PD, e djathta është e bllokuar nga PD

New.Sequence.7351 frame 9306 1100x620

“PD është aset që mund të shkëpusë vendin nga bataku ku është futur dhe është vlerë kryesore. Nëse nuk do te jetë kjo korsi e ngjarjeve, nëse gjërat nuk përmirësohen në PD, besoj që e djathta është e bllokuar nga PD”. Këtë mendim ndau në studion e “Absolut 4” ish-anëtari i kryesisë së PD Arben Imami. Sipas tij PD sot nuk përfaqëson asgjë, as antikomunizmin e vjetër, as tregun, as punëtorin dhe ndryshimi, thekson ai, duhet të përfshijë edhe reformimin e kryetarit. Imami deklaron se partitë politike mbahen për interesa materiale të turpshme të 3-4 personave.

“Në këto 30 vjet reformat kyçe në vend i ka bërë kjo parti dhe nuk është vetëm çështje e partisë por një ndryshim serioz duhet të përfshijë reformimin e një kryetari që nuk shkulet nga zyra. Kur nuk funksionon partia, nuk respektohet statuti, nuk respektohet institucionet. Nënkryetarët rrinë 3 muaj te dera e kryetari për të marrë vesh nëse do të jenë apo jo në listë. Është i paaftë. Në 2005 askush nuk e mendonte që Berisha po shiste vendet për deputet. Po t’i shkonte dikujt mendja, nuk do i kishte fituar Berisha zgjedhjet. Problemi gangrenoz është që nuk ka përfaqësim në asnjë nivel. Politika është e mbyllur. Partitë politike mbahen për interesa materiale të turpshme të 3-4 personave dhe këto mbizotërojnë. PD nuk përfaqëson asgjë sot, as antikomunizmin e vjetër as tregun, as punëtorin qëndrojnë mbi sipërfaqen e gjërave. E njëjta gjë edhe me PS, që ka probleme të demokracisë së brendshme”.

Imami thekson se këto dy parti nuk e mbajnë dot afatgjatë, pasi njerëzit kërkojnë zgjidhje politike. Ai tha se do të japë kontributin e tij së bashku me një grup njerëzish për çështjet e Partisë Demokratike.

“Kur të dyja palët janë keq situata është barazim dhe përfiton status quo-ja. Ne do të krijojmë një pamje tjetër të partisë. Partitë nuk përfaqësojnë me njerëzit, pushteti lokal nuk funksionon fare.

Njerëzit kërkojnë zgjidhje politike. Këtë drejtim politik që kemi nisur do ta vijojmë. Nga 2017 deri në 2021 nuk kam folur se preken ndjenjat e militantëve të asaj partie dhe militanti ka nevojë për emocion që t’i bashkohet së tërës, nuk ka shans për zgjedhjet e treta e kam thënë në 2017. Kam heshtur, nuk e kam thënë të vërtetën. Kam një jetë jashtë politike shumë më të mirë se ajo politike. Jam marrë me gjëra që nuk kisha kohe të merresha kur isha në politikë, por kjo nuk mund të më pengojë që me një grup njerëzish t’i shkojmë deri në fund sa të mundemi për të dhënë kontribut. Besoj që ky grup njerëzish kemi vendosmërinë që të themi fjalën tonë kontributin tonë për këtë çështje të rëndësishme që është PD. Sa do dëgjohemi është në dorën e anëtarëve të PD dhe qytetarëve shqiptarë. PD është aset kombëtar. Nëse PD nuk bëhet opozita, qeverisja do vijojë të keqqeverisë po kaq keq sa në 8 vite”.