
Presidenti i Libanit, Joseph Aoun, ka deklaruar se Irani nuk duhet të ndërhyjë në punët e brendshme të vendit të tij, duke e akuzuar Teheranin se synon ta “shkatërrojë” Libanin për interesat e veta.
Në një intervistë për CNN, Aoun theksoi se Libani dëshiron të ruajë marrëdhënie të mira me Iranin, por ato duhet të bazohen në respekt të ndërsjellë dhe në parimin e mosndërhyrjes.
“Megjithatë, mbani mend se Libani është një shtet sovran dhe ka një qeveri sovrane. Nëse doni të flisni me ne, jeni të mirëpritur, por nuk duhet të ndërhyni”, deklaroi presidenti libanez.
Aoun u shpreh se vendi i tij nuk mund të pranojë ndërhyrje të huaja në vendimmarrjen e brendshme, duke nënvizuar se sovraniteti i Libanit duhet të respektohet nga të gjitha palët.
Deklaratat e presidentit vijnë në një kohë tensionesh të larta në rajon dhe mes shqetësimeve për ndikimin iranian në Liban përmes grupeve aleate në vend. (A2 Televizion)