Gazetari Aulon Kalaja, duke komentuar protestën e qytetarëve kundër projektit në Zvërnec, bëri thirrje për unitet mes protestuesve dhe kërkoi që fokusi të mbetet te shqetësimet e qytetarëve, duke kundërshtuar debatin mbi numrin e pjesëmarrësve.
“Unë vazhdoj të mbetem te ideja e mospërçarjes së protestës dhe të jemi shumë të vëmendshëm në atë që duam të arrijmë. Duhet të jemi të qartë në ato që bëjmë kalkulime. Nuk duhet të jemi cinikë si kryeministri që thotë këtu janë 2.000 njerëz”, u shpreh Kalaja.
Ai argumentoi se pjesëmarrja në protesta nuk duhet vlerësuar vetëm përmes shifrave, duke përmendur edhe reagimet e shqiptarëve jashtë vendit.
“Për fat të keq Shqipëria është vendi në Europë që ka një fat tragjik që shumicën e popullsisë e ka jashtë shtetit. E patë ju protestën në New York, e patë protestën në Washington? E patë protestën në Firence, në Milano, në Danimarkë e në Suedi? Është e paimagjinueshme kjo që po ndodh”, deklaroi ai.
Më tej, Kalaja hodhi pretendime se brenda protestës ka persona të lidhur me qeverinë, të cilët sipas tij merren me raportimin e numrave të pjesëmarrësve.
“Ka ca njerëz që janë brenda protestës. Po ta shpjegoj, edhe mbajnë numra ata. Ata që mbajnë numrat me të vërtetë mund të jenë nja 2.000, por janë këta 2.000 që përfitojnë nga tenderat e Ramës. Pjesa tjetër e popullsisë janë njerëz të rrënuar”, tha ai. (A2 Televizion)