Parti e re nga protesta? Studentja jep lajmin nga sheshi: Do të mobilizohemi të gjithë dhe do të dalim në zgjedhje

Nga A2 CNN
8 Qershor 2026, 20:48 | Aktualitet

Në ditën e nëntë të protestës në bulevardin dëshmorët e Kombit, duket se protestuesit po arrijnë të mobilizojnë qytetarët për t’u konkretizuar në një forcë opozitare të pandikuar nga partitë aktuale politke. Në një lidhje me Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN, studentja dhe aktivistja Laura Kërtalli, tha se protesta ka njohur rritje të vazhdueshme si në pjesëmarrje ashtu edhe në frymën opozitare.

“E fuqishme dhe e suksesshme. Ka pasur një evoulim nga dita e parë deri më sot duke filluar nga pakënaqësitë kundrejt projektit të Zvërnecit, por arritëm edhe me mesazhet kundrejt kryeministrit për dorëheqje. Gjëja më e rëndësishme që është realizuar nga kjo protestë është që ajo çfarë kryeministri mund të kishte pasur më tepër frikë që ka dalë haptazi propaganda e tij e 80 e kusur mandateve që gjoja ka mazhorancën në Shqipëri. Sepse ne këtu e shikojmë shumë qartë që jemi të mbledhur, që jemi një opozitë faktike, thjesht nuk jemi të organizuar në një forcë të vetme dhe do të thoja që dita ditës ka pasur rritje në numër, por gjithashtu dhe rritje në frymë. Mendoj që është një pikë kyçe që mund të konkretizohet dhe të finalizohet në një mënyrë tjetër. Unë e kam shprehur edhe në një fjalim që mbajta herën e kaluar që si studente, ne po përpiqemi që të mobilizohemi dhe po përpiqemi që të arrijmë të krijojmë një forcë opozitare që nuk është e ndikuar nga partitë politike aktuale, sepse ato vetëm kanë prishur punë”, tha studentja në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.

Sipas saj hapi i parë do të jetë mobilizimi dhe organizimi i studentëve për të ndërtuar një alternativë të re opozitare.

“Kjo forcë politike do ketë disa faza që mund të vazhdojë. Si fillim duhet të mobilizohemi të gjithë studentët për ta diskutuar në një mbledhje, pra për të hedhur mendimet tona se çfarë do të bëjmë. Por duke qenë se unë kam qenë dhe më afër tyre pak a shumë e kam një ide. Është ambicioze si ide, por duke qenë se ne kemi qenë opozita më e madhe deri më sot, mendojmë që kështu mund të krijojmë dhe një forcë shumë të madhe opozitare, pse jo të transmetuar dhe të transformuar edhe në një parti politike, e cila nuk ka asnjë ndikim rrënjë të së shkuarës së komunizmit siç kanë qenë partitë për mendimin tim dhe për mendimin e shumicës së analistëve që e kanë akoma partitë aktuale në Shqipëri", u shpreh studentja në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.

Sipas studentes Kërtalli, objektivi afatgjatë është që kjo lëvizje të marrë pjesë edhe në zgjedhje.

“Të jetë një parti me ideale demokratike, e pandikuar dhe idealisht edhe të dalë në zgjedhje me Edi Ramën. Ne përderisa kemi kërkuar dorëheqjen, në qoftë se nuk realizohet me kaq ditë protesta, faktike është që vendi ka pakënaqësi dhe ne këtë do ta kërkojmë vazhdimisht. Në qoftë se nuk jemi mobilizuar tani, në një moment të dytë ne do të mobilizohemi. Kjo është e sigurt”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos