“Shkaku nuk është Zvërneci, por korrupsioni dhe aleanca e një klase politike 30-vjeçare Berisha-Rama, e cila i ka mbyllur të gjitha shtigjet për ndryshim në Shqipëri”. Kështu e shikon gazetari Florian Arapi protestën në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, e cila sot hyri në ditën e nëntë të saj. Në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN ai tha se politika ka favorizuar vetëm klasën e të pasurve, duke krijuar një pakënaqësi të madhe që ka ushqyer protestat.
“Gjithë politika e kësaj qeverie është duke punuar në mënyrë të vazhdueshme vetëm për një klasë të shoqërisë dhe jo për klasat e tjera. Pra është duke punuar maksimalisht për klasën e të pasurve dhe aty do na ndërtohej një qytet, i cili do të shërbente, do të kishte një formë ekstra territoriale përveç të tjerave, u vu dhe një garë dhe shqiptarët do i shikonin ata të pasurit nga larg që të pasurit që do vinin me shumë mundësi do vinin nga jashtë shtetit. Ndërkohë që krahu tjetër i gardhit ishin qytetarë të thjeshtë të cilët vuajnë përditë për të siguruar jetën e tyre dhe kjo gjë ishte e papranueshme për popullin dhe ishte një mllef i jashtëzakonshëm i cili prodhoi gjithë këtë revoltë e cila nuk po ka të sosur”, tha ai në Off the Recod me Andrea Dangllin në A2 CNN.
Sipas tij pjesëmarrja e të rinjve,tregon se brezi i tyre është rritur duke njohur vetëm dy figurat politike atë të Edi Ramës dhe Sali Berishës dhe sot janë ngritur për t’i rrëzuar ata.
“Aty janë të rinjtë të cilët kur kanë lindur ata, Berisha mund të ketë pasur 10 vjet në pushtet dhe Rama mund të ketë qenë ministër kulture, ose kur Rama ka qenë kryetar bashkie. Pra ata nuk njohin asgjë tjetër vetëm se njohin dy emra Rama dhe Berisha. Dhe ndërkohë tani ata janë të ngritur të gjithë për ta përmbysur këtë lloj kapjeje të politikës”.
(A2 Televizion)