Kadilli: Hyj në garën për kreun e PD-së për të vendosur një model të ri

New.Sequence.7352 frame 6676 1100x620

Fatbardh Kadilli u shpreh në “Absolut 4” se Partia Demokratike duhet të kthehet te bazamenti i saj.

“Na duhet të kthehemi te bazamenti ynë, te themeli. E djathta është besim. Unë jam në kontakt me të gjithë, edhe me ata që mbrojnë zotin Basha”, tha Kadilli.

Kur u pyet pse nuk zërat që kanë dalë tani kundër zotit Basha nuk kanë folur më parë, Kadilli tha: “Problematikat që shikohen, duhen trajtuar brenda grupit dhe të mos i lejosh të bëhen konsum në dëm të grupit. Nuk duhet që një mendim imi të cenojë grupin. Nëse do të fitonte Basha, sot do të ishte kryeministër. Tani që humbi, duhet të ikë sepse bëhet barrë për partinë. PD dhe PS kanë provuar disa herë zboret politike. Unë dua një PD që ka këllqe të përballojë të vërtetën dhe ta kthejë në moment reflektimi dhe ringritjeje”.

Kadilli shtoi: “PD-ja nuk mori dot pas vetes votuesit gri. Unë jam për luftë të fortë në Parlament, për të artikuluar çdo kauzë të qytetarit aty. Qytetari duhet të ketë besim te opozita, por nuk zgjidhen gjërat vetëm me protesta. Qytetari nuk do garë mes atyre që duan pushtet, do zgjidhje”.

Në lidhje me marrëdhënien e tij me Sali Berishën, Kadilli tha: “Kam raport shumë korrekt me të. Nismën time nuk e kam konsultuar me asnjë. Unë dua ta largoj Bashën nga drejtimi i PD-së dhe jam i vendosur në këtë. Çdo figurë politike, e madhe apo e vogël, që më mbështet, më bën nder”.

Në fund, Kadilli nënvizoi se është i vendosur të hyjë në garë “për të vendosur një model të ri dhe t’i jap fund një tradite të keqe, ku kandidati hyn në garë dhe një ditë para garës, tërhiqet”.