Kadilli: Mazhoranca nisi fushatën në shtator, opozita në mars

Fatbardh Kadilli tregoi në “Absolut 4” se kush ishte gabimi më i madh që bëri opozita në zgjedhjet e 25 Prillit.

Pasi përsëriti se zgjedhjet ishin të manipuluara, Kadilli u shpreh: “Basha vetëm një herë ka bërë konsultime në forume politike. Ka ndodhur në vitin 2015, për zgjedhjet lokale, kur PD-ja ka marrë më shumë vota. Kemi pasur përballë PBDNJ-në, LSI-në dhe të tjerët, por morëm rezultat shumë të mirë. Në 25 Prill dëshiroja ndryshim dhe instinkti më thonte se do të kishte ndryshim. Por, kundërshtari ynë diabolik dhe arrogant, me të gjitha mjetet legjitime dhe jolegjitime në dispozicion, hyri në fushatë në shtator dhe PD-ja hyri në mars, vetëm 6 javë përpara zgjedhjeve. Kjo është një nga gafat më të rënda”.

“Kryetari ka përgjegjësinë që të mobilizojë çdo kapacitet për fushatë. Sot është vonë për të bërë analizë. Të gjithë e dinë që përgjegjësia për këtë fatalitet është e kryetarit, i cili duhet të japë dorëheqjen e parevokueshme dhe të mos e përdorë luftën për votën e lirë për të bërë fushatë për kryetar”, shtoi Kadilli.

Sipas Kadillit, “vërtet u ble vota, sepse zgjedhjet kanë pasur gjithmonë parregullsi në Shqipëri, por kur certifikohen nga institucionet dhe pranohen nga arbitri, duhet të luftojmë për të garantuar që të mos ndodhë më kjo shitblerje e votës”.

“Por, nëse do t’i fitonte zgjedhjet opozita, do të thonim i fitoi Basha. PD-ja nuk ka kryetar që ngjall besim. Nëse ne nuk i thërrasim njeriut politik, nuk mund të ketë shans për fitore”, tha Kadilli.