Bisedimet në Turqi, Rusia frenon entuziazmin

Publikuar më: 30/3/2022, ora 17:20

Bisedimet në Turqi, Rusia frenon entuziazmin

Publikuar më: 30/3/2022, ora 17:20

Rusia frenon entuziazmin për përparim të mundshëm në bisedimet e paqes me Ukrainën. “Nuk mund të themi se ka pasur diçka premtuese apo ndonjë përparim”, tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov për gazetarët. Ndërsa theksoi se ka ende shumë punë përpara, Peskov e konsideron pozitive faktin që Kievi ka filluar t’i shkruajë kërkesat në letër.

“Gjëja pozitive është se pala ukrainase ka filluar të paktën të formulojë dhe të hedhë në letër ato që propozon. Ky është një faktor pozitiv, por përveç kësaj nuk shohim diçka premtuese, apo ndonjë zhvillim të rëndësishëm. Ka ende shumë punë përpara”, tha Peskov.

Në bisedimet e zhvilluara të martën në Stamboll të Turqisë, Ukraina paraqiti me shkrim-propozimet e saj për t’i dhënë fund luftës, ku përfshihej pranimi I neutralitetit ushtarak në këmbim të garancive të sigurisë.

Moska, nga ana e saj, premtoi reduktim të sulmeve rreth zonës së Kievit dhe Chernihivit duke sinjalizuar zbutje të mundshme të ofensivës. Por si Kievi, ashtu edhe liderët perëndimorë, e pritën me skepticizëm njoftimin, duke thënë se do ta besonin kur ta shihnin diçka të tillë.

Dhe në fakt, zhvillimet në terren, e zbehin perspektivën e një paqeje të shpejtë. Guvernatori I rajonit të Chernihiv tha të mërkurën se bombardimet gjatë natës kanë qenë intensive dhe se nuk ka reduktim të sulmeve të Moskës në zonë. Po ashtu, edhe në Kiev sirenat e luftës njoftuan shpërthime të reja.  Megjithatë, ofensiva ruse duket se po fokusohet më së shumti në lindje, ku ka pasur raportime për sulme në gati të gjitha qytetet pranë rajoneve separariste të Luhansk dhe Donetsk.