Katastrofë ajrore në Rio de Janeiro, asnjë i mbijetuar pas përplasjes së dy helikopterëve

Nga A2 CNN
14 Qershor 2026, 22:37 | Bota

Katastrofë ajrore në Rio de Janeiro, asnjë i mbijetuar pas

Një aksident i rëndë ajror ka ndodhur mëngjesin e së dielës në Rio de Janeiro, ku dy helikopterë u përplasën në ajër dhe më pas u rrëzuan në zonën e Recreio dos Bandeirantes.

Si pasojë e përplasjes, gjashtë persona kanë humbur jetën, ndërsa autoritetet kanë konfirmuar se nuk ka të mbijetuar nga personat që ndodheshin në bord.

Sipas dëshmitarëve okularë, dy mjetet fluturuese u përplasën gjatë fluturimit në rrethana që mbeten ende të paqarta. Pas përplasjes, helikopterët u rrëzuan duke shkaktuar një shpërthim dhe zjarr në zonën ku ranë.

Shërbimet e emergjencës bëjnë të ditur se mbetjet e helikopterëve u shpërndanë në një sipërfaqe të gjerë, me fragmente që u gjetën në një rreze prej të paktën 100 metrash. Disa pjesë përfunduan edhe mbi çatitë e ndërtesave pranë vendit të aksidentit.

Në operacionin e shpëtimit dhe sigurimit të zonës u angazhuan rreth 45 zjarrfikës dhe 15 automjete emergjence. Për arsye sigurie, autoritetet ndërprenë përkohësisht qarkullimin në bulevardin bregdetar Avenida das Américas.

Pak orë pas ngjarjes, zjarri i shkaktuar nga përplasja u vu nën kontroll, ndërsa ekipet teknike nisën verifikimet për rrjedhje të mundshme karburanti dhe rreziqe të tjera në zonën përreth. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos