Trajneri i Kombëtares sonë, braziliani Sylvinho, është shprehur shumë i kënaqur me barazimin 1-1 në Pragë ndaj Republikës Çeke, por jo vetëm për rezultatin e arritur në transfertë.
“Jam i kënaqur jo vetëm me pikën, por edhe mënyrën se si e përjetuan ndeshjen 23 lojtarët. Është krijuar një atmosferë shumë e mirë në dhomat e zhveshjes dhe kjo është diçka pozitive”, tha Sylvinho.
Trajneri i kuqezinjve nënvizoi se kjo pikë na lejon që të luftojmë deri në fund për kualifikimin: “Shumë e rëndësishme të merrnim një pikë, jemi në gjysmën e rrugës. Kemi bërë një ndeshje të mirë. Një pikë që na jep mundësinë që të luftojmë për kualifikimin. Tani duhet të luftojmë në ndeshjen e shtëpisë ndaj Polonisë, që është shumë e rëndësishme”.
Sipas tij, u zhvillua një ndeshje e bukur në të gjitha aspektet.
“Çekia është e fortë, ne kishim përgatitur strategjinë tonë për t’ia ulur intensitetin. Ishte ndeshje e bukur, teknike, fizike dhe taktike. Të dyja ekipet patën raste”, theksoi më tej Sylvinho. (A2 Televizion)