Këshilli Kombëtar i PD, Basha: Duhet rindërtuar partia, fund intrigave e përplasjeve

Nga A2 CNN
9 Shtator 2023, 19:48 | Politikë
Këshilli Kombëtar i PD, Basha: Duhet rindërtuar partia, fund

Riformatimi i strukturave drejtuese ishte arsyeja përse Lulzim Basha thirri Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike. Qëllimi tha se është t’i japë një hov të ri aksionit politik, teksa pranoi se u bë gjatë që janë larguar nga detyra parësore e një force opozitare, ajo e të qenurit në shërbim të qytetarëve.

“Por, kur zhurma e përplasjes bëhet më e fortë se zëri i arsyes, ne të gjithë humbasim, siç humbëm një kohë të çmuar duke u marrë me probleme që nuk kishin lidhje me ato që shqetësojnë qytetarët, por problmet personale të pak politikanëve, që për të mbuluar të keqen e tyre, janë gati të shkatërrojnë të mirën e përbashkët”, tha Basha.

Nga demokratët kërkoi që t’i japin fund konfliktit të brendshëm, si një parakusht për të rindërtuar partinë: “Për të ndërtuar të ardhmen para së gjithash ne duhet të rindërtojmë partinë tonë, duke mbyllur një cikël të stërzgjatur intrigash, përplasjesh, bërrylash dhe keqkuptimesh. Që kjo të ndodhë, unë dhe forumet drejtuese duhet të bëjmë gjithçka që të tejkalohet kriza, përçarja dhe konfuzioni që ka përfshirë anëtarësinë, si dhe një pjesë të konsiderueshme të elitës politike opozitare”.

Premtoi përballje me qeverinë në çdo betejë, por bojkotoi në të parën që u ndesh pas rikthimit si kryetar: “Dëshmi e kostove që ngjarjet brenda nesh kanë prodhuar, janë edhe zgjedhjet e Kukësit. Ne respektuam vullnetin e Degës së Kukësit për të mos nxjerrë kandidat, sepse është dhe përgjegjësia jonë, e të gjithëve bashkë, që për një kohë të gjatë u morëm me luftën me njëri-tjetrin dhe jo me ringritjen dhe riorganizimin e partisë. Është hera e fundit që PD nuk ka kandidat për zgjedhjet”.

Basha theksoi se shumë shpejt do të nisë dhe puna për përzgjedhjen e 140 kandidatëve për deputet dhe premtoi se brenda 31 Marsit të ardhshëm do të ketë gati ekipin garues për zgjedhjet parlamentare, kurdo të jenë ato. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos