“Shtëpia” zikaltër me 70 mijë ulëse, Interi prezanton projektin për stadiumin e ri

Nga A2 CNN
14 Shtator 2023, 08:46 | Futboll
“Shtëpia” zikaltër me 70 mijë ulëse, Interi

Vendimi i komunës së Milanos për të mos shembur mitikun San Siro, ka shtyrë Milanin dhe Interin të marrin më seriozisht mundësinë e ndërtimit të stadiumeve të reja.

Pas klubit kuqezi që ka marrë tashmë vendimin për të ndërtuar shtëpinë e re me 70.000 ulëse në San Donato, duke nisur nga viti 2025, edhe zikaltrit kanë ndërmarrë hapin e ngjashëm.

Klubi e ka konsoliduar idenë për ndërtimin e stadiumit të ri dhe plani i është paraqitur, ditën e djeshme, kryebashkiakëve të Rozzano dhe Assago.

Shefat e koorporatës zikaltër, Alessandro Antonello dhe Mark Van Huuksloot, por dhe menaxherë të tjerë të klubit janë takuar me kryetarin e bashkisë së Rozzano-s, Gianni Ferretti, për t’i paraqitur atij projektin e objektit që do të ndërtohet në bashkinë nën juridiksionin e tij.

Kjo është një mundësi e madhe që po i paraqitet qytetit të Rozzano-s. Mund të them vetëm se interesi i Interit është serioz dhe konkret”, tha kryebashkiaku për Sportmediaset.

Pas këtij takimi pritet që muajin e ardhshëm të miratohet nga këshilli bashkiak i Rozzano-s, plani i cili parashikon shfrytëzimin e zonës edhe për ndërtimin e një stadiumi dhe punimet parashikohet të nisin jo më larg se fillimi i 2025-s.

Ndryshe nga çfarë ishte përfolur më parë, për një projekt me 50 apo 60 mijë vende, zikaltrit kanë një projekt ambicioz për një stadium me 70.000 vende.

Ai do të ngrihet në një park të gjelbëruar të hapur për publikun dhe do t’i bashkangjiten ambiente sportive, ambiente hotelerie dhe argëtimi, dyqane dhe shërbime për tifozët, vizitorët dhe qytetarët.

Pas takimit ka reaguar edhe Beppe Marotta, i cili tha se kjo e mërkurë ishte një ditë e rëndësishme për të ngritur shtëpinë e rë të Interit.

Stadiumi është një kontejner emocionesh dhe besimi, i transmetuar nga publiku te lojtarët. Është shtëpia jonë, është e qartë që të gjitha klubet duan të kenë një të tyren. Për këtë kujdeset kolegu im Antonello dhe sot ishte një ditë e rëndësishme. Shpresa është që të kemi një shtëpi të re që mund të strehojë tifozët tanë“, deklaroi Marotta në Gentleman Prize. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos