Finalja e Champions 2022, Ceferin nën akuzë për incidentet në Paris

Nga A2 CNN
27 Shtator 2023, 13:45 | Futboll
Finalja e Champions 2022, Ceferin nën akuzë për incidentet

Edhe pse ka kaluar më tepër se një vit, finalja e vitit 2022 në Champions League është kthyer në qendër të vëmendjes. Përballja në Paris, ku Real Madrid fitoi përballë Liverpool, nisi me trazira të shumta në hyrjen e tifozëve dhe me përplasje me policinë lokale.

Ato ngjarje nxitën një hetim të brendshëm të UEFA-s, në të cilin ishte i përfshirë në mënyrë direkte Presidenti Alexander Ceferin. Kreu i Konfederatës Europiane të Futbollit akuzohet se ka përdorur prova false, për të mbrojtur një mikun e tij.

Lajmi është publikuar nga britanikja “The Guardian”, që publikoi shënimet e ish-drejtoreshës operative të UEFA-s, Sharon Burkhalter-Lau, rreth përleshjeve në Paris, të dorëzuara te Sekretari i Përgjithshëm i UEFA-s, Theodore Theodoridis: “Në hetimin rreth finales së vitit 2022 në Champions, ndërmjet Liverpool dhe Real Madrid në “Stade de France”, u paraqitën prova komplet të falsifikuara. Kjo u bë për të mbrojtur njësinë e sigurisë së UEFA-s, e cila drejtohet nga shoku më i ngushtë i presidentit”.

Deklarata të forta, të cilat hedhin dritë në ngjarjet e 28 majit 2022, kur hyrja e tifozëve në impiantin francez rrezikoi të shndërrohej në tragjedi. Arsyet lidhen me menaxhimin e dobët të forcave të sigurisë, kaosin e shkaktuar nga mijëra tifozët rreth stadiumit, por edhe reagimi i dhunshëm i policisë franceze.

Për shkak të ngjarjeve jashtë stadiumit, nisja e finales së Parisit u shty me 36 minuta. Njësia e sigurisë së UEFA-s, e drejtuar në atë kohë nga Zeljko Pavlica, nuk ndërmori asnjë veprim, edhe pse alarmi i sigurisë ishte dhënë rreth katër orë përpara nisjes së ndeshjes.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi