I stresuar nga Shtëpia e Bardhë, qeni i Biden kafshon një tjetër agjent

Nga A2 CNN
27 Shtator 2023, 17:04 | Bota

Një nga qentë e presidentit Joe Biden vijon të shkaktojë probleme në Shtëpinë e Bardhë, duke kafshuar agjentët sekretë që ruajnë ndërtesën dhe sigurinë e liderit më të fuqishëm në botë.

Një tjetër efektiv u sulmua mbrëmjen e së hënës teksa ishte në shërbim, një incident që përsëritet për herë të 11-të, ku agresori është i njëjti, qeni me emrin “Komandanti”.

Zyra e shtypit, më herët është shprehur për një incident të ngjashëm, se qeni vuante nga stresi për shkak se jetonte në Shtëpinë e Bardhë.

“Komandanti” është qeni më i vogël i dy Pastorëve Gjerman që familja Biden disponon. Rastet e tjera të kafshimeve janë regjistruar në shtëpinë që çifti presidencial ka në Delauere.

Zëdhënësi i Shërbimeve Sekrete, Anthony Guglielmi informon se ngjarja ndodhi në orët e pasdites, teksa agjenti që u kafshua mori ndihmë mjekësore dhe është në gjendje të mirë.

Por faktet tregojnë se jo vetëm “Komandanti” është problematik. Edhe qeni tjetër i Biden me emrin “Majori”, ka qenë i përfshirë në sulme të ngjashme ndaj oficerëve të Shërbimit Sekret. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos