FIFA i heq “block-un” ekipeve kombëtare të të rinjve të Rusisë

Nga A2 CNN
6 Tetor 2023, 08:21 | Futboll
FIFA i heq “block-un” ekipeve kombëtare të të rinjve

Organi qeverisës i futbollit botëror, FIFA, njoftoi të mërkurën se do t’i lejojë ekipet e djemve dhe vajzave të Rusisë nën moshën 17-vjeçare të luajnë në turnetë e futbollit ndërkombëtar.

Javën e kaluar, UEFA, organi qeverisës i futbollit evropian, e mori vendimin e njëjtë për klubet e të rinjve të Rusisë.

“Kjo me kusht që këto ekipe të luajnë nën emrin “Unioni i Futbollit i Rusisë”, e jo Rusia dhe pa flamur kombëtar, pa himn kombëtar, pa fanellën dhe pajisjet e tyre zyrtare, por me ngjyra neutrale”.

Ekipeve nga Rusia iu ndalua pjesëmarrja në garat e ekipeve kombëtare në nivel ndërkombëtar, kur Rusia e pushtoi Ukrainën. Kur Rusia e nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt 2022, UEFA vendosi t’i pezullojë të gjitha ekipet ruse, kombëtare apo klube, nga pjesëmarrja në garat e saj.

Por javën e kaluar, UEFA tha se “fëmijët nuk duhet të ndëshkohen për veprime për të cilat përgjegjësi kanë ekskluzivisht të rriturit”, dhe se ekipet nën moshën 17-vjeçare të Rusisë do të pranohen prapë në garat e saj “gjatë këtij sezoni”.

Federata e Futbollit e Ukrainës i bëri thirrje UEFA-s ta rishqyrtojë vendimin dhe tha se nuk do të luajë në turnet ku marrin pjesë ekipet ruse. Po ashtu, Anglia, Norvegjia, Suedia dhe Danimarka thanë se ekipet e tyre nuk do të luajnë kundër Rusisë, pavarësisht vendimit të UEFA-s. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos