Samiti i Berlinit dhe vizita e presidentit francez, Emanuel Macron, në vendin tonë ka qenë në fokus të takimit të kryeministrit Edi Rama me presidentin e Republikës, Bajram Begaj. Në një postim në Facebook, kreu i qeverisë, e cilëson historik samitin e 16 tetorit, ndërsa vlerëson vizitën e parë të një presidenti francez në vendin tonë.
“Me Presidentin e Republikës, Bajram Begaj, për temat e Samitit të Procesit të Berlinit në Tiranë dhe vizitën e Presidentit të Republikës së Francës, Emanuel Macron, e para vizitë bilaterale e një kreu të shtetit francez në historinë e shtetit shqiptar”, shkruan Rama.
“Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bajram Begaj zhvilloi sot në mesditë një takim pune me Kryeministrin e Shqipërisë. Sh. T.Z. Edi Rama. Samiti historik i Procesit të Berlinit, që do të mbahet në Tiranë më 16 tetor 2023, si edhe vizita bilaterale për herë të parë e një Presidenti francez në Tiranë, ishin në fokus të bisedës midis Presidentit Begaj dhe Kryeministrit Rama”, njofton Presidenca.
Samiti i Procesit të Berlinit do të zhvillohet më 16 tetor në Tiranë dhe në të do të marrin pjesë kancelari gjerman, Olaf Scholz, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, si edhe liderët e rajonit. (A2 Televizion)