Urgjenca e insekteve po zgjerohet në Europë, nga Parisi në Londër dhe në Milano. Paraziti sa një kokërr shalqiri, përhapet duke lënë pickime, flluska dhe duke u riprodhuar me shpejtësi ka mbërritur edhe në Itali.
Në kryeqytetin francez prej disa muajsh rastet që kanë shpërthyer nëpër banesa kanë qenë gjithnjë e më të shpeshta, ku familjet duhet t’i nënshtrohen dezinfektimeve të gjata dhe të vështira, shpesh me rezultate të pasuksesshme. Të gjithë vagonët e trenave dhe të metrosë u pushtuan, aq sa u desh ndërhyrja e qeverisë.https://www.instagram.com/reel/CyFvbvJo5zj/?utm_source=ig_web_copy_link
Kryebashkiaku i Londrës Sadiq Khan deklaroi se çimkat në transportin publik të Londrës janë një shqetësim i vërtetë. Një video e publikuar në gazetën britanike “The Guardian” dhe që tregon një insekt në këmbën e një pasagjeri në linjën Victoria, është bërë virale dhe është parë mbi një milion herë. Videoja ka ndezur alarmin se Britania e Madhe mund të përballet me probleme të ngjashme me ato në Paris. Khan siguroi përdoruesit e transportit publik, duke thënë se TFL, operatori i transportit publik në Londër, ka programet më të mira të pastrimit gjatë natës. “Për një sërë arsyesh ne nuk besojmë se problemet e Parisit do të lindin në Londër,” përfundoi Khan.
Edhe dy turistë australianë treguan përvojën e tyre përmes një video në Instagram. Ata thanë se i gjetën në një tren që nisej nga Mynihu dhe shkonte në qytetin Lombard: “Ne morëm një tren nate, i cili ishte mjaft i pistë. Por, duke qenë tren, nuk prisnim asgjë të veçantë. Të nesërmen në mëngjes, megjithatë filluam të vëmë re kafshime në të gjithë trupin tonë. Kontaktuam kompaninë që bëri menjëherë kontrolle dhe konfirmoi se ishin insekte”.
Pothuajse zhdukur pas viteve 1950, çimkat janë kthyer rreth tridhjetë vjet më parë në vende të ndryshme, duke zhvilluar gjithashtu një rezistencë ndaj produkteve insekticide. Ato janë shumë aktivë gjatë natës, ushqehen kryesisht me gjakun e njeriut, preferojnë dyshekët dhe mbulesat dhe transportohen me rroba dhe bagazhe. (A2 Televizion)