Avionët izraelitë vijojnë bombardimet ajrore kundër rripit të Gazës, duke shënjestruar rrjetin e tuneleve nëntokësore të ndërtuara dhe shfrytëzuara nga militantët e Hamasit. Me mijëra vetë në enklavën e izoluar janë detyruar të largohen nga banesat duke i lënë shtëpitë, rrugët dhe dyqanet, virtualisht të boshatisura.
Bilanci i viktimave në Rripin e Gazës ka arritur në 1200, me rreth 5600 persona të plagosur. Po 1200 janë të vdekurit që numëron edhe Izraeli. Qytetarët e Gazës nxjerrin mes dëshpërimit trupat e mbetur në rrënoja, ndërsa izraeli deklaroi se nuk do t’i furnizojë me ujë dhe drita deri në lirimin e mbi 100 pengjeve të marra nga Hamasi.
OKB-ja paralajmëron se territori me 2.3 milionë banorë mund të përjetojë krizën më të rëndë humanitare në historinë e tij dhe bën thirrje për hyrjen e ndihmave.
“Kemi braktisur shtëpitë tona; nuk kemi asgjë, para, ushqim.. I lamë të gjitha pas. Tani jemi rreth 50 persona, pa ushqim, pa ujë apo elektricitet. Nuk di si të gjej ushqim për fëmijët.. Po kërkoj nën rrënoja për mbetje orizi”, thotë një nga banorët e Gazas Azaam Shamiya.
Izraeli formoi të mërkurën një kabinet lufte për udhëheqjen e operacionit kundër grupit militant të Hamasit. Pjesë e tij është edhe përfaqësuesi i opozitës Benny Gantz, por opozitari kryesor Yair Lapid, nuk u bë më pjesë. Kryeministri Netanjahu tha në mbledhjen e parë të qeverisë së unitetit kombëtar, se çdo pjesëtar i grupit militant ishte i vdekur, ndërsa ministri i Mbrojtjes, Yoav Gallant, u zotua se do të fashisin Hamasin nga faqja e dheut.
“U them të gjithëve se do të fshijmë nga faqja e dheut këtë gjë të quajtur Hamas, apo ISIS GAZA. Nuk do të ekzistojë më”, u shpreh ministri i Mbrojtjes, Yoav Gallant.
Izraeli ka grumbulluar 300 mijë rezervistë pranë kufirit me gazën për një pushtim të mundshëm tokësor. Sakaq, Shtetet e Bashkuara janë në bisedime me OKB-në, Izraelin dhe Egjiptin për të lejuar një kalim të sigurt për disa banorë të territorit. (A2 Televizion)