Mbi 1200 viktima nga sulmet izraelite në Gaza, nxirren nga rrënojat trupat e 18 personave

Nga A2 CNN
12 Tetor 2023, 08:26 | Bota
Mbi 1200 viktima nga sulmet izraelite në Gaza, nxirren nga rrënojat

Numri i të vdekurve në Rripin e Gazës nga bombardimet izraelite, gjatë gjashtë ditëve të fundit, është rritur në të paktën 1200 të vdekur dhe rreth 5600 të plagosur. Konfirmimi është bërë nga Ministria e Shëndetësisë palestineze, sipas të cilës 600.000 njerëz nuk kanë ujë, ndërsa disa spitale po marrin ujë në puse. 

Të paktën 51 persona humbën jetën dhe 281 të tjerë u plagosën në sulmet ajrore të kryera, mbrëmjen e djeshme. Sulmet goditën Gazën, Jabaliya, Sabra, Al Zaytoun, Al Nafaq, Tal Al Hawa dhe Khan Younis.

Punonjësit e urgjencës në Gaza kanë nxjerrë trupat e 18 personave nga rrënojat e dy shtëpive të shkatërruara në Khan Younis në jug të Gazës. Sipas agjencisë palestineze të lajmeve, Wafa mes viktimave janë edhe nëntë fëmijë.

Spitalet në të gjithë Gazën po përballen tashmë me një mbikapacitet për shkak të viktimave në rritje.

OKB-ja ka deklaruar se 338.934 palestinezë janë zhvendosur në Gaza, ndërsa sulmet shkatërruese të bombardimeve të Izraelit vazhduan gjatë natës. Për ish-shefin e Human Rights Watch, Kenneth Roth “sulmi i padiskutueshëm dhe joproporcional ndaj civilëve palestinezë mund të përbëjë një krim lufte”.

Izraeli “po kryen një sulm në shkallë të gjerë” në objektivat e Hamasit në Gaza, thanë forcat e mbrojtjes izraelite të enjten herët, ndërsa konflikti hyn në ditën e gjashtë.

Hamasi po mban rreth 150 pengje në Gaza, ku kriza humanitare po përhapet me shpejtësi. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres ka bërë thirrje që furnizimet për shpëtimin e jetës, si ushqimi, karburanti dhe uji, duhet të lejohen në Gaza.

Burimet palestineze thonë se presidenti Mahmud Abbas (Abu Mazen) nesër do të takohet me sekretarin amerikan të shtetit Antony Blinken, i cili po viziton Lindjen e Mesme.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi