Të “armatosur” me hamburger dhe pije freskuese, ushtarët izraelitë nisen për në fushën e luftës. Mediat kanë publikuar së fundmi pamje nga një vend “rimbushjeje” të trupave izraelite.
Sipas raportimeve, dhjetëra vullnetarë, jashtë qytetit të Beer Sheva, u shërbejnë qindra ushtarëve përpara se të nisen për në pozicionet luftarake jashtë Rripit të Gazës.
Është pika e fundit e furnizimit para se të futen në fushën e betejës. Hamburgerat, byrekët, uji dhe pijet freskuese janë vakti i fundit përpara se të përballen me zjarrin.
Kënga “Ti je në ushtri tani” nga Status Quo nuk mund të mungonte si muzikë në sfond pas vaktit të izraelitëve.
Disa ishin në muaj mjalti, të tjerë studionin jashtë, të tjerë organizonin jetën e tyre në vende të huaja. Por kur Izraeli thirri rezervistët dhe shpalli luftë këtë javë, përgjigja ishte e shpejtë.
“Të gjithë po vijnë. Askush nuk thotë jo”, tha Jonathan Steiner, 24 vjeç, i cili u kthye nga Nju Jorku, ku punon në një kompani teknologjie, për të shërbyer në njësinë e tij të vjetër në ushtri.
“Kjo është ndryshe. Është e paprecedentë, rregullat kanë ndryshuar”, tha ai, duke folur me telefon nga kufiri afër Libanit, ku është vendosur regjimenti i tij.
Kujtojmë se Izraeli ka thirrur deri në 360,000 rezervistë pas sulmit të së shtunës nga qindra persona të armatosur të Hamasit.
Shërbimi ushtarak është i detyrueshëm për shumicën e izraelitëve kur mbushin 18 vjeç.
Burrat shërbejnë për 32 muaj dhe gratë për 24 muaj. Shumica mund të thirren në njësitë rezervë deri në moshën 40 vjeç, ose edhe më të vjetër në rast të një emergjence kombëtare. Në kohë lufte, ata luftojnë përkrah trupave të rregullta. (A2 Televizion)