Sondazh: Nëse i afërmi juaj e ka ditëlindjen në 29 shkurt, kur e uroni?
  • 28 shkurt 27%
  • 1 mars 45%
  • Nuk e uroj 27%

Cili është lumi më i gjatë në botë? Ekspedita e re synon të zgjidhë njëherë e mirë debatin

Nga A2 CNN
15 Tetor 2023, 07:15 | Lifestyle
Cili është lumi më i gjatë në botë? Ekspedita

Shkenca i është përgjigjur me vendosmëri shumë prej pyetjeve më të mëdha në lidhje me botën natyrore. Por një çështje ka qenë gjithmonë e diskutuar dhe shkencëtarët janë ende në kërkim: Cili është lumi më i gjatë në botë?

Enciklopedia Britannica dhe Rekordet Botërore Guinness i kanë dhënë Nilit në Afrikë titullin “lumi më i gjatë në botë”. Por një ekspeditë braziliane në lumin e Amazonës, po vë në dyshim çdo gjë.

“Nili është si një krimb dhe Amazona është një anakonda. Që është lumi më i madh dhe me më shumë vëllim në botë, kjo është e sigurt, por do të vërtetojmë se është edhe lumi më i gjatë në botë.”

Dilemat për gjatësinë vijnë kryesisht nga çështja se ku fillon Amazona. Gjithmonë është menduar se lumi nis nga burimet e lumit Apurimac në Perunë jugore, por së fundmi shkencëtarët po pretendojnë se kanë zbuluar një burim lumi më të largët, në Perunë Veriore. Zbulimi i burimit të ri shton 77 kilometra në gjatësinë e Amazonës.

Megjithatë, përveç çështjes së gjatësisë, ekspedita ka synime edhe më të mëdha për të dokumentuar dhe për të zbuluar plotësisht biodiversitetin e pasur të pyjeve tropikale të Amazonës. Rruga e planifikuar e ekspeditës prej 7000 kilometrash do të nisë nga burimi i supozuar në Mantaro, thellë në Andet peruane dhe për të vazhduar më pas në Peru, Kolumbi dhe Brazil.

Megjithatë, pavarësisht këtyre synimeve optimiste, ky nuk është një udhëtim pa rrezik. Në këtë lloj ekspedite, shumë gjëra mund të shkojnë keq, si p.sh varkat e lundrimit që mund të dëmtohen apo edhe rreziqet e xhunglës nga kafshët e egra si anakondat, bretkosat helmuese etj. Por pjesa më e rrezikshme sipas udhëheqësit të ekspeditës është ndërveprimi njerëzor. Ekipi mund të ndeshet me njerëz të tjerë në zona të thella që mund të jenë grupe kriminale të shpërndarjes së drogës ose dhe komunitetet vendase që jetojnë në xhungël.

Cilido qoftë rezultati i ekspeditës, ekipi shprehet se do të donte të eksploronte Nilin më pas, duke përdorur të njëjtat teknika dhe metoda matjeje. Nili, i cili rrjedh nëpër Afrikën verilindore përpara se të arrijë në Detin Mesdhe nëpërmjet Egjiptit, gjithashtu përballet me debate rreth burimit të tij.

Pas përfundimit të ekspeditës, një dokumentar dhe një film pritet të debutojnë në vitin 2026. Ndër të tjera, përmes ekspeditës besohet se mund të nxitet turizmi ndërkombëtar, si dhe të rritet ndërgjegjësimi për mbrojtjen e natyrës së jashtëzakonshme të Amazonës.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli